Vdes Mimika Luca, aktorja ikonë e Teatrit Kombëtar dhe e kinematografisë shqiptare

21 Shkurt, 2023 - 1:34 pm

Kinematografia shqiptare ka humbur një tjetër ikonë të saj. Këtë herë bëhet fjalë për aktoren Mimika Luca, e cila ka vdekur si pasojë e një ishemie cerebrale në moshën 85-vjeçare.

Lajmi e ka konfirmuar i biri i saj, biznesmeni Gjergj Luca, i cili me anë të një postimi në rrjetet sociale ka bërë me dije ndarjen nga jeta të së ëmës, ndërsa njofton se varrimi bëhet nesër.

Po kush ishte Mimika Luca?

Një aktore shumëdimensionale si në teatër ashtu edhe në kinematografi, pas njohjes me bashkëshortin e saj Ndrek Luca, një aktor i jashtëzakonshëm edhe ky për interpretimin e karaktereve dhe figurave artistike, Mimika Luca iu përkushtua me dashuri artit dramatik dhe ku pati sukses në interpretimet e saj.

Mimika Luca u lind në Gjirokastër, më 24 dhjetor të vitit 1937. Interpretoi në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, si balerinë, nga 1951 – 1962. Më 1962 pranohet aktore në Teatrin Popullor.

Gjatë karrierës së saj si aktore Mimika Luca ka interpretuar në rreth 30 role, Luçia te “Borgjezi fisnik”, Tjen Ny te “Muri i madh”, Dila te drama “Cuca e maleve”, Nica te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Laja te “Kur hidheshin themelet”, Sonja te “Xhaxha Vanja”. Interpretimin e saj ndër më të mirët e ka në dramën “Drita”, dramë e shkruar nga vetë aktorja.

Mimika Luca interpretoi gjithashtu edhe në 12 filma artistikë, si “Treni niset në shtatë pa pesë” “Përrallë nga e kaluara”, “Taulanti kërkon një motër” e shumë të tjerë. Shkroi edhe disa drama, të cilat u vunë në Teatrin Popullor, më e njohura “Drita”, etj. Në vitin 1977 kalon pedagoge në Institutin e Lartë të Arteve, dega dramë.

Në vitin 1977 ajo emërohet edhe pedagoge në “Institutin e Lartë të Arteve” dega e Dramës. / KultPlus.com

Të ngjajshme