3 Janar, 2018 - 7:20 pm
“Vdiq mbreti, rroftë mbreti” vepra e shkruar nga Ferdinand Hysi nën regjinë e Elma Dorezit, do të vijë premierë më 13 janar në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Në role kryesore do të interpretojnë aktorët Sokol Angjeli Bujar Asqeriu, Ola Harizaj Dritan Borici, Rajmonda Bulku , Klod Hoxha, Devis Muka dhe Klea Huta.
Kostumografia është nga Laedia Hajdari ndërsa skenograf Drini Shehu. Nën muzikën e Elgid Doda kjo komedi pritet të sjellë përmes luftën e përjetshme mes të vjetrës dhe të resë për të sjellë ndryshimin. Prej kohësh regjisorja ka nisur provat për ta sjellë këtë vepër si premierën e parë për këtë vit në skenën e Teatrit. E shkruar me stil nga Hysi, vepra mbart karaktere dhe një humor elegant. Vepra mbart aktualitet një cilësi e njohur e dramaturgut Hysi.
Përmes një subjekti që i flet realitetit kjo vepër synon të prekë publikun përmes temave të ndjeshme që trajton. Kjo komedi solli emocione dhe gjatë netëve të leximit të dramës shqipe, nga ku dhe u seleksionua për tu ngjitur më pas në skenë, nën titullin “Kompleksi i Edipit”.. Dramaturgu Hysi për zanafillën e kësaj drame, është shprehur se, gjithçka nis nga një barsoletë me tre zarfe.
“Në një institucion të rëndësishëm zëvendësohet drejtori. Ish- drejtori shkon te drejtori i ri dhe në momentin, që do të largohet i thotë: ‘Të kam lënë tre zarfe, kur të kesh vështirësi hapi njëri pas tjetrit me radhë’. Pas disa muajsh, kur drejtuesi nuk po ia dilte dot hapi zarfin dhe lexoi atë që shkruhej në të: ‘Hidhja fajin atij që ishte para teje’. Kështu drejtori aktual nisi të thotë se fajet i kishte drejtori paraardhës, që i la situatën në atë gjendje. Por, as me fajësimin e drejtorit të parë nuk zgjidh dot gjë. Prandaj, pas dy muajsh hap zarfin e dytë, në të cilin ishte shkruar:
‘Bëj një autokritik dhe shtyje dhe për pak kohë’.Ndërsa, zarfi i tretë ishte për drejtorin që do të vinte! Hysi është marrë vetëm me zarfin e parë, ku pas drejtuesit që është ndarë nga jeta, vendin e tij e zë një tjetër. Dramaturgu rrëfen se e ka shkruar këtë vepër, duke u nisur nga predispozita, që ky drejtues ka dëshirë për të bërë diçka. Por çfarë ndodh në vepër? “Ndodh që drejtuesi i parë, i cili është ndarë nga jeta, e që tashmë ka mbetur veçse në një portret, ‘zbret’ nga portreti dhe i drejtohet drejtuesit aktual duke i thënë: ‘Unë për ty nuk kam vdekur! Unë jam këtu i gjallë!”. I gjithë teksti i dramës zhvillohet në këtë linjë, ku ish- drejtuesi vazhdon që të jetën nëpër këmbë dhe firmos e vepron kudo.
“Pra edhe drejtuesi aktual nuk bën asgjë ndryshe nga ai i pari”. Kështu shtyhen disa vite me drejtuesin që iku, por nuk shohim se çfarë bën drejtuesi aktual. Nga kjo situatë përfitojnë, edhe ata që mbahen pas pushtetit, me servilizëm. “Familja futet në mes, prandaj siç Edipi kishte frikë nga i ati, për shkak të mëkatit që kishte bërë, dhe drejtuesit kanë frikë nga mëkati, që kanë bërë karshi pushtetit dhe njerëzve”. Këtu del në pah dhe paaftësia e drejtuesit aktual. Nuk është hera e parë që regjisorja Dorezi bashkëpunon me dramaturgun Hysi. / KultPlus.com