Veliaj: Teatri i Ri do të ndërtohet, votohemi që të bëjmë punë

26 Dhjetor, 2022 - 9:30 pm

Kryebashkiaku Erion Veliaj në një intervistë për News 24, deklaroi se nuk ka asnjë vendim gjykate që të bllokojë procesin e ndërtimit të Teatrit të Ri.

Veliaj siguron se puna për ndërtimin e Teatrit të Ri do të vijojë.

“Teatrin nuk ka vendim gjykate që e bllokon. Ai ka qenë një vendim për ligjin e posaçëm me PPP, që ne nuk e shfrytëzuam kurrë sepse morëm një vendim që do e bëjmë vetë. E ardhmja nuk i përket atyre që gjejnë alibi për të bllokuar gjërat. E ardhmja u përket atyre që gjejnë arsye për t’i bërë gjërat, që deri tani nuk kanë ndodhur e për t’u siguruar që ne ecim më shpejt. Nuk kemi asnjë vendim që na bllokon dhe nuk presim asnjë vendim gjykate”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se ata që kundërshtojnë ndërtimin e teatrit të ri janë po të njëjtët njerëz, të cilët janë dënuar për shpifje. Ai u shpreh se ka ardhur koha që t’i jepet fund politikës së bllokimit.

“Me personazhet në fjalë i kemi fituar të 10 nga 10 gjyqet për shpifje. Janë certifikuar si shpifës dhe mashtrues dhe t’i thuash sot Tiranës që kryetari i Bashkisë lë punët pa bërë sepse po pret që mashtruesi apo mashtruesja e radhës të bëjnë gjyqin e 20 apo 30, kjo është të fyesh inteligjencën e njerëzve. Votohemi që të bëjmë punë, jo që të rrimë duke pritur Godonë dhe duke pritur që marrëzia e këtyre njerëzve të kufizohet. Qartazi nuk ka ndodhur kaq vite, ndaj ne do të duhet të vazhdojmë përpara. Më rezulton që politika e bllokimit, pengesave, sharjeve e fyerjeve jo vetëm, që ka dalë nga moda, por nuk prodhon më as vota, as ndjekës. Do të duhet të bëjmë garë kush punon më shumë dhe jo kush pengon tjetrin”, shtoi Veliaj.

Veliaj komentoi dhe çështjen e pallatit Nr. 4 në rrugën “Myslym Keta” në kryeqytet, për të cilën tha se ka një vendim nga Instituti i Ndërtimit. Ai siguroi se banorët marrin bonos qiraje.

“Shkohet në gjykatë për ca gjëra për të cilat është marrë vendimi dhe gjykatësit i kërkohet që të vlerësojë gjëra që i ka vlerësuar Instituti i Ndërtimit dhe me të drejtë gjykata thotë: Unë nuk jam inxhinier ndërtimi, nëse Instituti i Ndërtimit e ka vlerësuar ndërtesën si të dëmshme, nuk mund të bëjmë politikë me jetën e njerëzve. Këto janë të njëjtët njerëz që shikojnë një fatkeqësi dhe mundohen si hiena të vënë kthetrat dhe dhëmbët, të shqyejnë një fatkeqësi. Kur nuk largohen në kohë thonë, ‘ah i vratë ju se s’u larguan në kohë’; kur largohen në kohë, thonë ‘pse po i largoni në kohë’. Unë besoj se detyra e shtetit është të mos influencohet nga histeria e ditës, por shtetarët seriozë të thonë gjithmonë të vërtetën. Nëse e vërteta është që kjo ndërtesë nuk mban më dhe nëse me fytyrën sociale që tregon Bashkia e Tiranës paguan një më një qiranë, ndërkohë një pjesë e madhe e pallatit, është tashmë tek shtëpitë e reja më të mëdha, më të bukura e shumë solide, atëherë politizimi i këtyre gjërave është pa sens”, deklaroi Veliaj./ KultPlus.com

o

Të ngjajshme