29 Prill, 2022 - 12:55 pm
Pas miratimit të propozim vendimit në Kuvendin e Komunës së Prishtinës, hapësira ku është parkingu aktual prapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë është caktuar si vend ku do të ndërtohet Teatri i Operas dhe Baletit, përcjell KultPlus.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili thotë se shumë shpejt do të shpallet konkursi ndërkombëtar i projektimit.
KultPlus ua sjell njoftimin e plotë të tij:
Vazhdojmë me vendosmëri, edhe një hap i rëndësishëm drejt ndërtesës së Teatrit të Operas dhe Baletit
Tashmë e kemi edhe lokacionin, shumë shpejt do të shpallim konkursin ndërkombëtar të projektimit. Ashtu siç jemi zotuar nga fillimi, Teatri i Operas dhe Baletit do të bëhet. Institucionet dhe artistët tanë të operas, baletit dhe filharmonisë do ta kenë ndërtesën e tyre të dinjitetshme e shumë të merituar.
Hapësira e destinuar për këtë ndërtesë është parkingu aktual prapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë, pas miratimit të propozim vendimit në Kuvendin e Komunës së Prishtinës. Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë anëtarët e Kuvendit të Komunës për votën e tyre dhe kryetarin e komunës Përparim Rama për bashkëpunimin në këtë rast.
Qeveria e Kosovës do të bëj më të mirën për t’i zbatuar të gjitha fazat pasuese me efikasitet dhe cilësi, deri në momentin e inaugurimit të hapësirës më të madhe kulturore në shtetin tonë./ KultPlus.com