28 Shkurt, 2025 - 2:45 pm
“Një ngjarje që nuk duhet humbur”, e ka cilësuar teatri “Aleksandër Moisiu”, dramën e vënë në skenë nga regjisorja Driada Dervishi.
“15 ditë prilli” është dramatizimi i romanit me të njëjtin titull të autores Anisa Markarian dhe vjen premierë absolute në teatrin “Aleksandër Moisiu” në datat 1, 2, 3, 4 mars. Ngjarjet tregojnë 15 ditët e festimit të ditëlindjes së udhëheqësit të lavdishëm, që zhvillohet gjatë një periudhe dyjavore, duke përshkruar ngjarje të ndryshme që ndodhin brenda kësaj periudhe.
Teksti është një gërshetim i situatave sa dramatike, aq groteske e me nota humori që e bëjnë shikuesin të buzëqeshë.
Autorja Anisa Markarian, e njohur nga publiku i gjerë si aktore protagoniste e kinematografisë, prej vitesh i është kushtuar shkrimit, duke botuar “Sënduku i kujtimeve’, “15 ditë prilli”, “Shtëpia tek Selvia”, “Më përfytyrohesh” etj.
Vetë autorja e veprës, e konsideron “15 ditë prilli” si një detyrim moral për të transmetuar kujtimet dhe përvojat e saj te brezat e ardhshëm, ndërsa regjisorja Driada Dervishi e cilëson si produksion të jashtëzakonshëm për shkak edhe të pjesëmarrjes së 12 aktorëve dhe njëkohësisht një sfidë të veçantë për të.
Në shfaqje interpretojnë: Yllka Mujo, Hervin Çuli, Alesia Xhemalaj, Romir Zalla, Suela Bako, Mimoza Marjanaku, Amos Zaharia, Adelina Muça, Xhuliano Brisku, Aleksandër Seitaj, Sanie Hoti, Jaho Guma.
“15 ditë prilli” vjen me muzikën e Rona Castrioti dhe me skenografi të Beqo Nanaj./ KultPlus.com