Viti 2019-të sjellë një teatër të ri për publikun shqiptar

20 Shtator, 2017 - 4:48 pm

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, e ka nisur këtë mandat të dytë nga mbikëqyrja e ambienteve të kulturës që i janë nënshtruar rikonstruksionit. Ajo është ndalur në Teatrin e Operas dhe Baletit, duke theksuar se punimet po ecin sipas parashikimeve.

“Jemi në një ndër momentet e inspektimit të kantierit të Teatrit të Operas dhe Baletit. Punimet kanë ecur shumë mirë deri tani. Është punuar në mënyrë shumë intensive dhe në kushte shpesh edhe të vështira për mungesë të hapësirave të brendshme, problem që vazhdon duke u hequr zvarrë problemi juridik me shoqërinë italiane, por problem që do ta zgjidhim shumë shpejt me masa të drejtpërdrejta, por pa dyshim ligjore”, u shpreh Kumbaro.

Ritmet intensive gjatë ndërhyrjeve pritet te sjellin përfundimin në kohë të projektit. Thënë ndryshe, në vitin 2019 publiku në TKOB do të mund t’i ndjekë shfaqjet në një teatër tërësisht të transformuar dhe modern.

“Kemi ecur me ritme të mira. Jemi brenda afateve të kontratës dhe me pak durim, besojmë që brenda limiteve të parashikuara do të kemi një Teatër të Operas dhe Baletit tërësisht të modernizuar, edhe pse gjithë pajisjet e vjetra mekanike të viteve 50-të ndryshohen dhe automatizohen krejtësisht në shërbim edhe të publikut edhe të artistëve”, theksoi ajo.

Projekti për rehabilitimin e Teatrit të Operas dhe Baletit, shumëfishon hapësirat, si për publikun, por edhe për artistët, të cilët do të kenë ambiente më komode për prova, shkruan VP./ KultPlus.com

Të ngjajshme