7 Shkurt, 2024 - 1:19 pm
Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit do të rreshtohet këtë vit krah për krah me teatrot më prestigjiozë botërorë, që këtë vit ia kanë dedikuar kompozitorit të madh italian, Giacomo Puccini-t.
Në 100-vjetorin e ndarjes nga jeta, në skenën e TKOB-së do të ngjiten veprat kryesore të Puccini-t, kjo falë bashkëpunimit me “Fondazione Festival Pucciniano” në Itali, fondacioni i cili çon përpara veprën e Puccini-t në botë.
Për të kremtuar nisjen e këtij bashkëpunimi, në Tiranë kanë mbërritur drejtuesit më të rëndësishëm të “Fondazione Festival Pucciniano”. Në konferencën për shtyp, të mbajtur në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, drejtoresha e përgjithshme, Abigeila Voshtina theksoi se, ky bashkëpunim i rëndësishëm, ndihmon në ndërkombëtarizimin e teatrit tonë dhe rritjen e cilësisë artistike të tij.
Ndërsa drejtori i përgjithshëm i “Fondazione Festival Pucciniano”, Franco Moretti, vlerësoi cilësinë artistike të TKOB-së, dhe u shpreh i befasuar nga puna që bëhet në teatër.
Gjatë këtij viti dedikuar Puccini-t, në TKOB përveç artistëve shqiptarë, do të ketë edhe shumë artistë të ftuar që kanë bërë emër në teatro të rëndësishëm, apo edhe shqiptarë që e kanë ndërtuar karrierën e tyre në Evropë.
Falë këtij bashkëpunimi, skenografia dhe kostumografia për Operat do të vijë nga Italia me mbështetjen e “Fondazione Festival Pucciniano”.
Bashkëpunimi i parë është ai për operën “Il Trittico”, një opera që ka tre vepra brenda saj që do të interpretohen në një natë dhe përfshihen më shumë se 100 artistë, për të vijuar më tej me “La Boheme”, “Madama Butterfly” dhe “Tosca” si dhe koncerte simfonikë me muzikën e Puccini-t. / atsh / KultPlus.com