24 Dhjetor, 2024 - 4:02 pm
Era Berisha
Shfaqja “Anglia” e autorit Tim Crouch që konsiderohet si një shkrimtar i rëndësishëm i dekadave të fundit, vjen nesër premierë nën regjinë e iranianes Nasim Ahmadpour. “Anglia” shpërfaq një kategori të gjuhës dhe marrëdhënieve, qoftë mes njerëzve në përgjithësi, qoftë mes kulturave apo mes artit dhe publikut. Kjo është ajo se çka e ka ngacmuar regjisoren Ahmadpour për të sjellë këtë vepër pikërisht në Teatrin e Shkupit, shkruan KultPlus.
Veprat e Crouch kanë fituar shumë çmime dhe janë shfaqur në shumë teatro prestigjioze në mbarë botën. Dramat e tij shpesh janë përkthyer në persisht dhe janë interpretuar. Ai është një shkrimtar i njohur në Iran. Arsyeja e këtij popullariteti, përveç strukturës origjinale dhe novatore, është edhe fryma kritike dhe përmbajtja në veprat e tij. Kjo është anarkia që ai paraqet ndaj strukturave dhe mënyrave të të menduarit me stereotipe. Ftesa e Tim Crouch për të parë sërish fenomenet e ndryshme është diçka e bukur që ka gjetur vend brenda inspirimit të regjisores Ahmadpour.
Vetë autori Crouch i kishte thënë regjisores Ahmadpour se drama e tij “The Oak Tree” ishte shfaqur në Maqedoni, mirëpo akoma asnjë vepër e tij nuk është e përkthyer në Maqedoni. Mu për këtë arsye, regjisorja Ahmadpour ka zgjedhur të prezantoj një nga veprat e tij në Teatrin e Shkupit.
Në një intervistë për KultPlus, regjisorja Ahmadpour ka treguar se kur ajo është duke e sjellë një vepër, sikurse “Anglia”, përpiqet ta kuptojë tërësisht atë. Pra, ajo është përpjekur për të sjellë kuptimin e saj personal mbi veprën, por që nuk ka asnjë garanci që ajo i ka afruar plotësisht mendimet dhe idetë e autorit Crouch, edhe pse ajo zotëron të drejtën e autorit për veprën.
“Vepra e Crouch, veçanërisht ‘Anglia’, është takim dhe lidhje. Një lidhje që, natyrisht, është përherë e paplotë. Në çdo situatë, ne jemi të detyruar të përkthejmë veten. Dhe përkthimet nuk mund të na përfaqësojnë kurrë vërtetë. Kjo gjithashtu vlen edhe për veprat e artit. Vepra duhet të analizohet dhe të përkthehet për të komunikuar me audiencën. Gjithmonë është i përfshirë një ndërmjetës i cili supozohet të luajë një rol lehtësues, por ai vetë mund të krijojë keqkuptime. Kjo është e vërteta për të gjitha marrëdhëniet, qoftë ajo marrëdhënie midis kulturave apo marrëdhënie midis audiencës dhe veprës artistike ose edhe marrëdhënia midis krijuesit dhe veprës artistike”, thotë ajo.
Karakteristika më e rëndësishme e autorit Crouch për regjisoren Ahmadpour është mosfamiljariteti që ai krijon në marrëdhëniet mes publikut dhe veprës artistike. Ai sfidon konceptet e thjeshta dhe e shndërron audiencën nga një fenomen pasiv në një qenie aktive. Ky ndërveprim i publikut në veprat e tij bëhet herë duke aktivizuar fizikisht audiencën e herë duke aktivizuar imagjinatën e tij.
“Kur flas për audiencën, përfshij lexuesit e tij. Në veprën ‘Anglia’ ai punon me imagjinatën e publikut. Autori krijon një botë ku marrëdhëniet në dukje të drejtpërdrejta mund të shihen në mënyra të ndryshme në varësi të leximit. Ai krijon një rrjet komunikimi në dukje të thjeshtë me audiencën me një gjuhë të thjeshtë, por pas kësaj thjeshtësie të dukshme, formohet një botë e thellë dhe shumështresore nga përballja e shumë elementëve: përballja e artit dhe audiencës, përballja e Lindjes dhe Perëndimit, ballafaqimi i qytetarëve vendas dhe shtetasve emigrantë, ballafaqimi i gjuhës amtare dhe i gjuhës së dytë, ballafaqimi i botës së parë dhe botës së tretë”, tregon ajo.
Sipas saj, çështja kryesore është se audienca supozohet t’i qaset artit në një mënyrë inovative, jo të njohur, duke i kushtuar vëmendje detajeve të zakonshme të jetës së përditshme dhe përmes kësaj, shpjegohen koncepte të tjera. Pra, Crouch i shpreh këto koncepte duke e lidhur audiencën me elementë të zakonshëm e të përditshëm rreth tij.
Regjisorja Ahmadpour ka gjetur një rrugë drejt veprës së Crouch, dhe është lidhur ngushtë me veprën e tij, si entuziaste dhe si regjisore.
Ajo tutje na tregoi se Irani ka një traditë të gjatë të tregimit teatror. Ata kanë një sërë shfaqjesh tradicionale të bazuara në tregim. Një prej tyre është “Nagali”. Në këtë lloj shfaqjeje, “Naghal” tregon një histori dhe vazhdimisht krijon imazhe që publiku ta kuptojë historinë.
“Kemi një lloj tjetër drame që quhet “Pardekhani”, ku tregimtari tregon historinë përballë një ekrani të madh të pikturuar. Akti i parë i “Anglisë” më kujtoi atë. Dua të them se ne i referohemi përvojave tona për të kuptuar çdo vepër arti. Me ndihmën e leximit dhe kërkimit, ne përpiqemi ta përditësojmë atë përvojë. Kjo është ajo që bëra. Ndërsa, në aktin e dytë, një nga personazhet është një emigrant. Kjo është gjithashtu një përvojë e njohur për të gjithë ne. Emigranti kontakton një përkthyes. Çfarë është më e prekshme për një folës persisht sesa nevoja e përditshme për të përkthyer veten në gjuhë të tjera, të cilat janë të gjitha në shumicë, në krahasim me persishten?”, thotë regjisorja Ahmadpour.
Dramat e Tim Crouch, duke përfshirë “Anglinë”, kërkojnë një audiencë serioze teatrale. Një audiencë që prapa vetes ka një histori për të parë shfaqje. Meqenëse Tim Crouch e bazon marrëdhënien me punën e tij në “defamiliarizimin”, kjo përvojë dhe sfond mendor, me fjalë të tjera, vetëdija dhe ndërgjegjja e audiencës për botën e artit, dhe veçanërisht botën e teatrit, është jashtëzakonisht e rëndësishme. Kështu, regjisorja Ahamadpur beson se sfidohet audienca, pra nëpërmjet këtij lloj teatri në rolin e tij si spektator. Mbi këtë bazë, të paktën, ajo shpreson se do të jetë një përvojë e freskët e të qenit spektator.
Është interesante që regjisorja Ahmadpour po e sjell tekstin e “Anglisë” nga Irani në skenën në Maqedoni. Në këtë kombinim, ka një kontrast dhe kontradiktë të dukshme, e cila duket e pamundur por jo edhe aq. Dhe, pikërisht kjo qasje është një riprodhim objektiv i vetë tekstit të “Anglisë”.
“Gjatë gjithë provës po mendoja se si ne, grupi interpretues, duke përfshirë mua si regjisore në persisht, asistent regjisori (Agim Abdula) që ishte edhe përkthyes persisht-shqip, dhe aktorët e shfaqjes sonë, po simulojmë disi marrëdhëniet tek “Anglia”. Natyrisht, u përpoqa të kuptoj vlerën e kësaj situate të veçantë dhe ta përdor atë si një ide kyçe në ndërtimin e performancës”, tregon ajo.
Kjo shfaqje është pa dekorim apo zbukurim. Gjithçka do të varet nga aktorët dhe publiku. Do të formohet një shfaqje dhe publikut do t’i duhet të aktivizojë imagjinatën e tij dhe të krijojë skenën dhe detajet. Me fjalë të tjera, është e qëllimshme që të shmanget çdo përpunim që i detyron audiencës diçka. Vetë Tim Crouch thotë: “Ne nuk ju tregojmë asgjë në teatrin tonë, por në fund do t’i shihni gjërat.”
“Ky model thekson dallimin midis shikimit të thjeshtë dhe shikimit prej vërtetë. Ka një fjali në shfaqje me të njëjtin kuptim: “Ai më tregoi ndryshimin midis shikimit dhe shikimit”. Nuk do të kemi inskenim të veçantë dhe madje aktorët do të dalin në skenë me veshje si ato që veshin në jetën e tyre të përditshme. Dhe ata do të shmangin çdo lëvizje të panevojshme gjatë performancës”, tregon regjisorja Ahmadpour.
Sipas saj, ndërveprimi me audiencën mbulon një gamë të gjerë. Ajo beson se natyra e teatrit duhet të jetë zhytëse, por, me kalimin e viteve, zakoni i shikimit të teatrit e ka kthyer audiencën në një fenomen pasiv, i cili ka harruar se po përballet me teatrin si një fenomen i gjallë. Ashtu siç performanca ka marrë një natyrë stereotipike, edhe sjellja e audiencës është kthyer në një sjellje stereotipike. Ajo tutje shpjegon se pika më kritike është se vetë ndërveprimi i audiencës mund të bëhet një stereotip tjetër.
“Kjo bëhet nëse ideja e ndërveprimit nuk del nga thelbi dhe domosdoshmëria e performancës. Kjo domosdoshmëri e shfaqjes ndonjëherë kërkon që audienca të lëvizë. Në disa raste, kërkon pyetje dhe imagjinatë aktive. Performanca jonë është e tillë. Performanca jonë është formuar në bazë të mentalitetit dhe imagjinatës aktive të audiencës dhe a nuk është kjo një nga format më të forta të pjesëmarrjes? Në shfaqjet tona, publiku është një pjesë jetike e shfaqjes. Mendoj se është me vend të përmend se shfaqja “Anglia”, konkretisht akti i parë i saj, është shkruar për interpretim në galeri. Deri më tani kjo shfaqje është luajtur nëpër galeri. Bëra disa ndryshime për ta rikthyer në teatër. Sigurisht, ndërveprimi i audiencës gjithashtu ka ndryshuar. Fakti që publiku është në galerinë e lëvizshme, por i palëvizshëm në vetë teatrin, krijon një ndryshim thelbësor”, thotë tutje ajo.
Sfida më e vështirë për regjisoren Ahmadpour mbetet te fakti se ajo është iraniane dhe flet persisht, ndërsa aktorët flasin shqip. Regjia nga distanca ka pasur vështirësitë e veta, si për të, edhe për gjithë ekipin. Për më tepër, të kuptuarit e marrëdhënieve të një teksti nëpërmjet dallimeve të tyre kulturore dhe gjuhësore, nuk ka qenë aspak e lehtë. Megjithatë, ajo shprehet e lumtur që ata kanë arritur të mirëkuptohen dhe të bashkëpunojnë jashtëzakonisht mirë gjatë procesit të provave online.
Për regjisoren Ahmadpour, nuk ka diçka më emocionuese sesa krijimi i një përvoje të tillë të një shfaqjeje. Përvoja ka qenë vërtet e çuditshme për të dhe ajo mendon se duhet të gërmoj akoma më thellë në karakteristikat e saj. Pavarësisht vështirësive të punës dhe lidhjes joefikase të internetit në Iran, është zhvilluar një mënyrë e bukur ndërveprimi brenda ekipit. Për këtë arsye edhe është ndërruar emri i shfaqjes, nga “Anglia”, në “Leximi i ‘Anglisë’ në Maqedoni nga Irani”.
“Edhe vetëm leximi i këtyre llojeve të veprave ofron një përvojë të të qenit i pranishëm në shfaqje. Kjo thjeshtësi më tërheq mua. Dhe se për t’u lidhur me veprën, duhet të krijosh botën e performancës, pa pasur gjithçka. Kjo krijon një përvojë personale për audiencën që nuk kufizohet në këndvështrimin e një personi. Është sikur perandoria dhe tirania e prodhuesit të artit të shembet në lidhje me audiencën”, thotë ajo.
Prej shumë vitesh, regjisorja Ahmadpour ka qenë e interesuar për teatrin e dokumentarëve dhe ka lexuar shumë për të. Ajo beson se vepra e Crouch mund të konsiderohet në një farë mënyre një formë e teatrit dokumentar.
“Vepra e tij i afrohet në njëfarë mënyre teatrit dokumentar. Nga njëra anë, ky lloj shkrimi, i quajtur performanca e tekstit, është shumë interesante për mua. Këtë formë shkrimi dhe interpretimi e kam ndjekur prej shumë vitesh. Nga ana tjetër, natyra personale e punës së Crouch vjen nga interesimi im për praninë e botës së krijuesit në veprën e tij. Unë gjithashtu mendoj dhe lexoj për këtë dhe personalizimin e artit”, ka thënë ajo.
Regjisorja Ahmadpour ka pasur fatin që të udhëtoj në Maqedoni disa herë gjatë 10 viteve të fundit dhe ka parë shumë shfaqje teatrale. Aty e ka pikatur edhe aktorin Genci Mirzo. Ndërsa, ajo ka pasur edhe miq të besueshëm në Maqedoni me të cilët është konsultuar. Teatri Shqiptar, për të, ka qenë shumë mbështetës në këtë aspekt.
“I kërkova teatrit të më dërgonte një listë të aktorëve dhe fotot dhe veprat e tyre. Në listën e disa personave, ata që më ranë më shumë në sy ishin Genci Mirzo dhe Gentiana Ramadani dhe në fund nisëm të bënim prova me këta të dy. Genta dhe Genci në aktin e parë luajnë rolin e tregimtarit dhe rrëfimtarit. Të dy kanë të njëjtin rol. Në aktin e dytë, Genta duhet të luajë rolin e të njëjtit personazh, historinë e të cilit e dëgjuam në aktin e parë. Dhe Genci luan rolin e përkthyesit të tij. Ky është një përkufizim i drejtpërdrejtë i pranisë së tyre. Ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme të punoja me të dy. Fleksibiliteti dhe ndjeshmëria e madhe e këtyre dy aktorëve është shumë mbresëlënëse”, ka thënë regjisorja Ahmadpour.
Përveç krizës që ka ekzistuar në Iran gjatë gjithë këtyre viteve dhe veçanërisht pas vitit 2019, marrëdhëniet e ndërlikuara dhe të tensionuara të Iranit me SHBA-në, Izraelin dhe rajonin kanë ndryshuar jetën e shumë njerëzve, përfshirë edhe atë të regjisores Ahmadpour.
“Të gjithë e dimë se këto kushte të tensionuara dhe të paqëndrueshme janë të dëmshme psikologjikisht. Këto ditë, situata është kthyer në një pengesë të prekshme me anulimet e fluturimeve dhe kushtet e pasigurta në rajon. Vetëm mendoni, fluturimi im për në Maqedoni është anuluar 5 herë. Çmimet e fluturimeve të disponueshme janë shumë të larta, dhe nga ana tjetër, shqetësimi është se nëse largoheni nga Irani, mund të jetë shumë i ndërlikuar kthimi për arsye të ndryshme”, tregon ajo.
Këto kanë qenë arsyet pse ajo ka vendosur që projektin ta drejtojë nga distanca. Por, kjo natyrshëm ndikoi në gjithçka.
“Mënyra e provave, forma e pjesëmarrjes sime në përgatitjen e projektit, niveli i perceptimit tim për mjedisin, madje edhe ideja e shfaqjes. U përpoqa të mendoj për një ide që mund të kontrollohej dhe përgatitej nga distanca. Mendoj se kam bërë të pamundurën për t’i përdorur këto kushte komplekse në avantazh të idesë dhe ta zbatoj atë si pjesë të strukturës. Sido që të jetë, këto kushte ishin një “njollë e ngushtë” përmes së cilës u krijua një estetikë origjinale. E kam fjalën për përdorimin krijues të asaj që supozohet të pengojë krijimtarinë time. Ky është përvetësimi i çdo elementi, edhe të padëshiruarit, edhe të dëshiruarit”, thotë regjisorja Ahmadpour.
Krejt në fund të intervistës, regjisorja Ahmadpour na tregoi se aktualisht është duke punuar në pjesën e tretë të një projekti të quajtur “Tavolinat”, që përbëhet nga katër shfaqje të veçanta. Ky projekt është i përcaktuar në fushën e teatrit dokumentar e që fokusohet në historinë e teatrit bashkëkohor iranian dhe kufizimet dhe problemet e shkaktuara nga kufizimet.
Pjesa e parë e këtij projekti, “Raporti mbi Ditën e Gjykimit” u interpretua në Festivalin Performa të Nju Jorkut në vitin 2023. Pjesa e dytë, “Ne erdhëm për të kërcyer”, u interpretua në Kunstenfestivaldesarts në Bruksel në vitin 2024 dhe do të epet në Trienalen e Milanos në muajin shkurt dhe po ashtu do të bëjë turne në Evropë në vitin 2025. Pjesa e tretë, projekti i vitit 2025, është në përgatitje e sipër.
Regjisorja Ahmapdur po ashtu është duke punuar për një skenar që do të prodhohet në Zvicër me regji nga Romed Wider. Skenari i saj i fundit “Black Rabbit, White Rabbit” është në post-produksion dhe është xhiruar në Taxhikistan.
Skenografia: Enes Deari
Kostumografia: Genta Mirzo
Video: Shahram Mokri
Këshilltarja e regjisores: Narges Hashempour./ KultPlus.com