“Vizita” nga Shkodra hapi edicionin e tretë të “Prizren Fest”

22 Korrik, 2024 - 12:15 pm

Aktorët e Teatrit “Migjeni” nga Shkodra kanë hapë edicionin e tretë të “Prizren Fest”, shfaqje kjo që ka ardhë me regji të regjisorit italian Davide Lodice, shkruan KultPlus.

Këtë shfaqje para të pranishmëve të shumtë në “Kino Lumbardhi” e sollën aktorët: Nikolin Ferketa, Rajmonda Markja, Pjerin Vlashi, Fritz Selmani, Rita Gjeka Kacarosi, Julinda Emiri, Jozef Shiroka, Merita Smaja, Aleksander Prenga e Vladimir Doda.

Shfaqja fliste për një ngjarje pranë një qyteti të vogël ende të përhumbur nga jehona e luftës, një prift qëllon një engjëll i cili iu afrua botës së njerëzve kushedi se për çfarë arsye. I pushtuar nga kjo ngjarje e jashtëzakonshme dhe nga një ndjenjë e thellë faji, prifti vendos ta bëj këtë mirëpritje dhe kujdes për atë qenie të plagosur, të mrekullueshme dhe të paqartë; që ndjen gjithçka, që di gjithçka, përveç se si të “jetosh” atë botë që vetëm ëndërronte. Dhe është qasja e tij “anormale” ndaj asaj gjëje të quajtur jetë qe e bënë të pamundur qëndrimin e tij këtu. Në fakt, vendi nuk mund të tolerojë vizitën e të huajit, të engjëllit dhe shpejt bëhet armiqësor ndaj tij, armiqësor, duke stigmatizuar deformimin e tij; diversitetin e saj. I rënduar gradualisht nga graviteti i pakuptimësisë njerëzore, i paaftë për t’u kthyer në vendin qiellor dhe i margjinalizuar në atë njerëzor, engjëlli do te gjejë lehtësim vetëm në muzikë, mrekullisht e ruajtur në një violinë dhe “azil” vetëm në sytë dhe dashurinë e Delias.

Teksti në bazën e partiturës së skenës merr frymëzim nga “Vizita e mrekullueshme ” e Herbert George Wells, pararendës vizionar i zhanreve dhe gjuhëve, por duke ndryshuar boshtin e interesit tij nga satira drejt konformizmit dhe mirëqenies viktoriane, drejt një kritike më bashkëkohore, që ka të bëj mbi të gjitha me mënyrën se si ne mirëpresim “ata që vijnë nga jashtë”, të huajin. Nëse je emigrant apo engjëll, nuk ka rëndësi, nëse nuk je si unë, nëse nuk të njohë , atëherë je një rrezik.

“Prizren Fest” do të vazhdojë deri më datën 28 korrik duke sjell një program të pasur me shfaqje nga vende të ndryshme. / KultPlus.com

Të ngjajshme