1 Maj, 2023 - 11:03 pm
Flonja Haxhaj
Mbrëmë, në amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, u dha shfaqja ‘The Arrival’ me koreografi nga Tara Thibodeaux, shfaqje kjo e cila solli për herë të parë në Kosovës trupën e baletit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ‘Ballet Magnificat’, shkruan KultPlus.
Balerinët arritën që nëpërmjet performancës së mbushur me stil unik, energji të lartë dhe pasion të thellë, të sjellin për herë të parë para publikut të Prishtinës historinë për ringjalljen e Jezu Krishtit.
Në një sikron të pashoq me muzikën dhe njëri-tjetrin, ballerinët arritën të përcjellin mesazhin, ku nëpërmjet muzikës, veshjeve e lëvizjeve të udhëtojnë nga skena nëpër kohë të ndryshme të historisë, për të përcjellë një mesazh të vetëm.
Pas shfaqjes e cila për pothuajse dy orë mbajti publikun nën emocionet e muzikës ritmike, e në stile të ndryshme veshjesh e lëvizjes e të cilat përcillnin një mesazh të vetëm, foli balerini Silas Fennema, i cili i shpreh i lumtur që mesazhi i kësaj shfaqje është sjellë edhe për publikun e Kosovës.
“Për neve është një nder që të vijmë këtu dhe të ndajmë këtë tregim me ju. Tregimi i kësaj nate ishte historia për mënyrën se si izraelitët e gjetën lirinë përmes Moisiut i cili punoi përmes Zotit. Ne jemi këtu për shkak të punës që Jezusi e bëri në kryq për lirinë tonë. Është një tregim që ka shumë kuptim për neve, sepse ka ndrushuar jetët tona. Faleminderit shumë që jeni njerëz mikëpritës, me ushqim dhe zemra të mrekullueshme”, u shpreh Fennema mes emocionesh.
Ndërkaq, pas shfaqjes, për KultPlus foli edhe balerini Elisha Smith, interpretimi dhe lëvizjet e të cilit, rrëmbyen vëmendjen e publikut që në minutat e parë.
“Jemi shumë të lumtur që po e ndajmë këtë tregim e këtë histori të mrekullueshme me publikun e Prishtinës. Prishtina ka qenë e mrekullueshme, ne e kemi shijuar shumë qëndrimin tonë këtu, por mikëpritja sonte ka qenë e mrekullueshme”, u shpreh Smith.
Ndërkaq, ju kujtojmë që të martën ‘Ballet Magnificat’ do të rikthehet përsëri në amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës me shfaqjen ‘Deliver Us’./KultPlus.com