10 Gusht, 2017 - 1:53 pm
Jeta Zymberi
Aktorët Vlora Nikçi dhe Armend Baloku, të cilët janë të njohur për rolet e tyre sidomos në teatër, por ku nuk kanë munguar edhe ato në film, tashmë do të jenë me shfaqje në New York, shkruan KultPlus.
‘Producers Club Theatre’, ka bërë bashkë aktorët edhe në një shfaqje, pas asaj “Lojë martese”, ku çifti luajti bashkë.
Me tekst të Dario Fo dhe Franca Rame, shfaqja “The open couple” apo “Çifti i hapur”, do të jetësohet në skenë nga këta dy artistë kosovarë të cilët jetën po e bëjnë në mes të Kosovës dhe Amerikës.
“Ne vazhdimisht jemi në mes të Kosovës dhe New Yorkut. Mund të themi se shoqëri të madhe tani ne kemi krijuar edhe në New York. Fatmirësisht njerëzit që i njohim janë tërësisht të kyçur në jetën amerikane, dhe stili apo sistemi amerikan është i tillë që të bënë të përparosh po që se jeni këmbëngulës. Në New York kemi hasur në mbështetje të vazhdueshme të komunitetit shqiptaro- amerikan, sa herë që kanë dëgjuar emrin tonë. Duket se ju kemi lënë përshtypje. Mbështetje kemi pasur dhe kemi nga personalitete të veçanta shqiptare dhe amerikane, të cilët i kemi miq dhe mbajmë kontakte të rregullta me ta”, kanë treguar çifti Vlora dhe Armendi për KultPlus.
Shfaqja është në proces e sipër dhe janë pikërisht këta dy aktorë të cilët po bëjnë edhe idenë e shfaqjes. Lidhja e tyre bashkëshortore i ka ndihmuar në realizim.
“Jemi ne ata që po e krijojmë idenë e përgjithshme se nga duhet të ec shfaqja. Arsyeja pse ne jemi duke interpretuar është se në këto tekste ku raporti është në mes të bashkëshorteve, do të ishte përparësi në rast se aktorët që interpretojnë janë në lidhje. Përvoja personale po qe se del në jetën e skenës, atëherë mendojmë se realizmi do të jetë më i theksuar”, kanë treguar aktorët të cilët janë në prova çdo ditë, por përkundër stresit, vullneti i tyre ekziston.
“Kemi shumë punë dhe pak jemi të stresuar, por megjithatë vullneti ekziston, pa të cilin teatri shqiptar do të ishte e pamundur të ekzistonte. Po shpenzojmë shumë energji, por qëllimi është i mirë, andaj ja vlen lodhja”, theksuan ata.
Kjo është hera e dyte që Vlora dhe Armendi po interpretojnë në këtë teatër. Më herët ata ishin prezantuar me shfaqjen “Lojë Martese” nga Edward Albee.
“Vlen të theksohet se të interpretosh në New York është kënaqësi e jashtëzakonshme, ku çdo mbrëmje shfaqen mbi 500 shfaqje teatrore. Është kënaqësi të jesh një ndër to. Brodway është një lagje që emri i është dëgjuar në katër anët e botës, andaj të jesh pjesë e njërës nga skenat e Manhatanit, i bie që po shijon atmosferën teatrore njujorkeze”, kanë thënë tutje ata.
Premiera e shfaqjes vjen më datë 31 gusht në ‘Producers Club Theatre’, për të vazhduar me reprizat më datë 1, 2 dhe 3 shtator në ora 20:00. Ekziston mundësia që kjo shfaqje të vijë edhe në Kosovë.
Një mbështetje serioze për këtë shfaqje ka ardhur nga Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës, Link NY Realty me pronar Valon Nikçi, si dhe AAAF (Albanian American Arts Fund) të cilët kanë hapur çdo derë që ju është nevojitur artistëve për realizimin e kësaj shfaqje. / KultPlus.com