“Vota e komunitetit artistik shkon për ata që garantojnë ligjin për krijuesit dhe performuesit e artit”

5 Shkurt, 2021 - 2:31 pm

Këshilli organizativ sindikal i përbërë̈ nga përfaqësuesit sindikal të: Teatrit Kombëtar të Kosovës, Filharmonisë së Kosovës dhe AKKV “Shota“ dhe Asociacioni i Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës, përmes një komunikate kanë bërë me dije se vota e komunitetit artistik do të shkojë për ata që garantojnë ligjin për krijuesit dhe performuesit e artit, kjo pasiqë kërkesat e tyre ka kohë që neglizhohen dhe një nga arsyet vjen pikërisht nga ndërrimi i shpeshtë i qeverive në vend, përcjellë KultPlus.

KultPlus ju sjell reagimin e plotë të tyre:

Këshilli i bashkuar sindikal në vazhdimësi ka ngritur e trajtuar çështje e problematika të shumta që kanë prekur të drejtat e komunitetit artistik, si të institucioneve publike, për specifikat e veçanta që kanë, poashtu edhe të interesave të artistëve të pavarur të cilët në shumicën e rasteve janë bashkëpunëtor të po këtyre institucioneve.

Çështjet që kemi ngritur kanë qenë të interesit të përgjithshëm si në aspektin organizativ, menaxherial, juridik dhe financiar duke përfaqësuar institucionet që janë nën ombrellën e MKRS-së si edhe atyre në nivelin lokal në Republiken e Kosovës.

Pas takimeve të veçanta të secilës shoqatë me anëtarët e vet sindikal, duke evidentuar problemet me të cilat po ballafaqohemi dhe duke skanuar gjendjen reale në të cilën gjenden institucionet e kulturës kemi evidentuar një numër të madh problemesh që cenojnë të drejtat e komunitetik artistik, si: mënyrat e rekrutimit, sistematizimit, gradimit, pensionimit. Gjjithashtu kemi evidentuar edhe problematikat e ndryshme menaxheriale, organizative, teknike e deri te infrastruktura e objekteve që është larg standardeve dhe kërkesave minimale konform fushës së veprimtarive përkatëse.

Disa herë kemi bërë kërkesa për rishikime e amandamentime të ligjeve përkatëse të cilat duhet të jenë në përputhje me kërkesat dhe nevojat e brendshme për funksionim dhe organizim të veprimtarisë së këtyre institucioneve por si pasojë e një neglizhence totale, besa edhe për shkak të ndrrimit të shpeshtë të qeverive, nuk kemi marrë përgjigje për adresim të këtyre çështjeve.

Andaj të shtyrë nga kjo gjendje, Sindikatat e Bashkuara të Institucioneve të Kulturës, në emër të anëtarësive të tyre, por edhe në emër të të gjithë artistëve pa dallim paralajmërojnë legjislaturën e re e cila do të vie pas procesit zgjedhorë, për ndërmarrje të veprimeve tona sindikale duke kërkuar miratimin e:

LIGJI PËR KRIJUESIT DHE PERFORMUESIT E ARTIT DHE KULTURËS TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Duke përfshirë:

• Propozimin për procedimin e koncept dokumentit nga ana e sponsoruesit, MKRS-së, për hartimin e ligjit.

• Themelimin e grupit punues profesional gjatë 100 ditëshit të parë.

• Përfshirja e të gjitha grupeve të interesit duke perfshirë përfaqesuesit sindikal të institucioneve dhe organizatave të pavarura të kulturës që funksionojnë në Kosovë.

• Hartimin dhe miratimin ligjit nga institucioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Komuniteti artistik në Kosovë që 21 vite pas luftës, 13 vite pas shtetësisë së saj ka qenë bashkëpunues në strukturimin, rregullimin, ngritjen dhe formësimin e institucioneve dhe jetës kulturore në Kosovë duke mirëkuptuar dhe duke anashkaluar interesat e drejtpërdrejta të vet komunitetit me qëllim të interesit shtetëror.

Ky komunitet, në mungesë të këtij ligji, trajtohet përmes akteve te ndryshme normative, në mënyre jo të duhur dhe të padinjitetshme. Përveç rregullores : Nr. 15/2018, Për Gradimin dhe Pagat e Performuesve dhe Krijuesve te Artit e Kulturës dhe punonjësve të trashegimisë kulturore”, e cila “rregullon”, punonjësit e institucioneve publike, kategoria e artistëve të pavarur nuk ka asnjë akt normativ i cili i mbronë ata. Andaj është emergjente për neve si komunitet Ligji në fjalë, si akt i parë dhe më i lartë normativ.

Theksojmë se kjo kërkesë mbi STATUSIN E ARTISTËVE ka qenë temë e diskutimeve nga të gjitha qeverisjet e kaluara, por nuk kemi gëzuar ketë të drejtë, si rezltat i politikave ad hoc, të pa qëndrueshme, jo serioze, të politikbërjes së papërgjegjshme, padallim.

Kjo komunikatë aq më shumë shprehë shqetësimin tonë për programet dhe politikat kulturore që po shpalosin partitë politike në këtë kohë të fushatës zgjedhore, programe këto që nuk dallojnë aspak nga ato të kaluarat, të kamufluara me fraza boshe e me premtime për ndërtime objketesh kulturore të premtuara tash e 15 vite.

Pra, ta kenë të qartë të gjithë ata që synojnë “pushtetin”, aq më shumë ata që pretendojnë të marrin drejtimin e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, se do të ballafaqohen me çështje dhe problematika të pazgjidhura tash e 21 vite.

VOTA IME, VOTA JONË, VOTA E KOMUNITETIT ARTISTIK SHKON PËR ATA QË GARANTOJNË LIGJIN PËR KRIJUESIT DHE PERFORMUESIT E ARTIT. / KultPlus.com

Të ngjajshme