30 Nëntor, 2019 - 3:21 pm
Një motoçikletë ushton në sallën e Teatrit Kombëtar në Prishtinë dhe ndalon në cep të skenës. Mbi motoçikletë është i ulur një vrasës, që shtie disa herë me armë në njërin prej aktorëve. Kjo skenë është pjesë e shfaqjes “Sfinga e gjallë“ bazuar në dramën me të njëjtin titull, të shkruar më 1974 nga Rexhep Qosja, mbi praktikat gjakmarrëse në Shqipërinë rurale. Teksti origjinal është adaptuar e freskuar nga regjisorja Blerta Neziraj dhe shfaqja tani flet për vrasjet politike në Kosovë brenda viteve 1998 – 2001. Vrasësit dhe urdhëruesit e tyre në këtë trajtim teatror mund të dëfrehen nga mungesa e drejtësisë.
Ky version teatror qëndron afër realitetit. Brenda inskenimit është sajuar një dritare intervistash, në të cilën për çdo reprizë anëtarët e viktimave të vrasjeve politike raportojnë live nga skena për raste individuale. Kësaj radhe ishte Kastriot Imeri, djali i mësuesit Haki Imeri, shkruan sot Koha Ditore.
“Babai im u rrëmbye saktësisht sot para 20 vjetëve, më 2 nëntor 1999, duke u kthyer nga shkolla në shtëpi, pastaj u vra”, thotë Kastriot Imeri menjëherë pas shfaqjes. Haki Imeri i përkiste krahut paqësor të lëvizjes për pavarësi të Kosovës. Kurse për krahun e luftës, njerëz si ai konsideroheshin pa dyshim armiq. Ja pse Imeri vrasësit dhe urdhëruesit e tyre i kërkon në radhët e nëntokës së shërbimit sekret SHIK e të milicisë së atëhershme. Njëra nga figurat kryesore të nëntokës ishte edhe Hashim Thaçi, atëherë i dalë nga radhët e UÇK-së, kurse sot është president i Republikës së Kosovës.
“Për mua ishte mjaft prekëse të flisja këtu në teatër për babanë tim. Shumë prej spektatorëve nuk kishin lindur në atë kohë, dhe është e rëndësishme që këto histori të ngelin të njohura“, thotë Imeri. Përreth tij, në hollin e Teatrit Kombëtar, u mblodhën edhe anëtarë tjerë të viktimave të vrasjeve politike të asaj kohe. Vëllai i Liridon Dajakut, Besimi, ishte truproja e presidentit të parë të emëruar të Kosovës, Ibrahim Rugova. Gjithashtu edhe ai, sikurse viktima e vrarë Haki Imeri, i përkiste krahut paqësor – e për këtë arsyeje ishte vrarë nga trupa vrastare e SHIK-ut. Liridon Dajaku, siç rrëfen, ishte edhe vetë dëshmitar skene për fatin e vëllait të tij.
Shtjellimi i konflikteve të brendshme kosovare është një hap i ri për teatrin në Kosovë. Produksionet kritike e synojnë paraprakisht problemin e pranishëm të korrupsionit. Gjithashtu të përfshirë janë edhe administratorët e BE-së, duke e trashur peshën e tyre. Të godasësh në zemër të pushtetit është diçka e re. “Vite më parë nëpër kafene nuk guxohej të përmendej fjala e shërbimit sekret SHIK“, thotë Dajaku. “Lëre më të përdorej nga aktorët në skenë. Madje regjisori i një shfaqjeje të tillë mund të ishte vrarë“.
Megjithatë, Blerta Neziraj, krijuese e teatrit nga skena-off e Prishtinës, në angazhimin e saj të parë në Teatrin Kombëtar guxoi ta bënte një gjë të tillë. Kjo është një shenjë drejt ndryshimit. “Sfinga e gjallë” ishte përfshirë edhe në programin e festivalit “Kosovo. Theatre Showcase 2019”, që u organizua në fillim të muajit jo vetëm në Prishtinë. “Në të vërtetë skena alternative është e kufizuar në Prishtinë. Prandaj kemi dashur t’i prezantonim edhe teatrot nga qytetet e tjera të Kosovës, sivjet Ferizajn dhe Gjilanin, si dhe Teatrin Kombëtar në Prishtinë, që është po ashtu i dhënë pas temave politike”, tregon Jeton Neziraj, dramaturg dhe drejtor i “Qendrës Multimedia”, kompani e pavarur teatrore, që e organizoi festivalin për here të dytë. Neziraj po ashtu ishte i pranishëm me produksionet e veta.
“Hipokritët ose pacienti anglez” për bazë merr temën e kontrabandës së organeve dhe të korrupsionit në nivelin shëndetësor. Në “Pesë stinët e armikut të popullit” trajtohet fati i planifikuesit urban në Prishtinë, Rexhep Luci, i vrarë në vitin 2000, duke rezistuar pa sukses përballë mafisë ndërtimore në vend. Luci kishte planet e tija mbi zhvillimin urban, që përfshinin parqe dhe transportin publik, por mafia e ndërtimit i del përballë. Dhe ata e vranë. Shfaqja rrëfen izolimin në rritje të planifikimit të qytetit. /KultPlus.com