23 Shtator, 2020 - 11:14 am
Teatri Kombëtar i Kosovës në bashkëpunim me Artpolis-Qendra për Art dhe Komunitet, përfaqësuan Kosovën me shfaqjen muzikore “Zgjimi i Pranverës” me regji të Zana Hoxhës, në Festivalin Ndërkombëtar të Shkupit – ITF Skupi Festival ku sivjet prezente ishin trupat teatrale nga Bullgaria, Shqipëria, Kroacia, Serbia e Bosna e Hercegovina, shkruan KultPlus.
Pas shikimit të të gjitha shfaqjeve, juria e ITF (International Theater Festival) SkupiFestival, ka përzgjedhur “Zgjimi i Pranverës”, të autorit Frank Wedekind, me regji nga Zana Hoxhës si: “Shfaqja më e mirë”, duke e shpërblyer me çmimin “Grand Prix”, në edicionin e katërmbëdhjetë të ITF SkupiFestivali.
Juria ka vlerësuar shfaqjen për shkak të konceptit të saj të fortë regjisorial dhe estetikës bashkëkohore teatrore, duke sjellur një “drejtim të ri” të shprehjes teatrore ballkanike, që është në hap me atë evropiane, duke vepruar në fushën e “teatrit total”, duke përdorur muzikë, dramë, vallëzim dhe video, me aktrim që shtyjnë kufijtë e zakonshëm, duke përfshirë edhe reagimin e audiencës.
“Zgjimi i Pranverës” tregon historinë e adoleshentëve që zbulojnë trazirën e brendshme dhe të jashtme të seksualitetit. Ajo eksploron udhëtimin nga adoleshenca në moshën e rritur me trishtim dhe pasion që është ndriçues dhe i paharrueshëm. Për regjisoren e shfaqjes Zana Hoxha, kryevepra e Frank Wedekind “Zgjimi i pranverës” ishte një thirrje artistike, një dëshirë dhe një nevojë për ta sjellë këtë shfaqje në Kosovë, duke e përshtatur më tej në epokën e viteve ’90 në Kosovë. / KultPlus.com