12 Qershor, 2020 - 9:04 am
E shkruar midis vjeshtës së vitit 1890 dhe pranverës së vitit 1891, drama “Zgjimi i pranverës” e gjermanit Frank Wedekind llogaritet të jetë midis veprave që hyjnë në fillet e historisë moderne të teatrit.
Shoqërohet me nëntitullin “Tragjedia e fëmijëve”. Do të inskenohej për herë të parë më 1906 në Berlin, nën regji të Max Reinhard.
Gjatë inskenimeve të mëvonshme, për shkak të përmbajtjes shpesh do të censurohej.
Në Prishtinë ishte planifikuar të jepej premierë në pranverë e me sallën plot. I është ofruar shumë verës, e premiera do të jetë pa publik. Jo për shkak të censurës, por sherri i pandemisë. Dashuria, seksualiteti, ndrydhja e ndjenjave e krejt problemet e fazës së pubertetit te adoleshentët do të trajtohen në formë mjuzikli në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Por në një tip premiere të mbyllur.
Masat e ndërmarra me qëllim të parandalimit të shpërndarjes së pandemisë kanë bërë që teatrot e kinematë të mos hapen ende. Madje shfaqja në njëfarë forme do të jepet “ilegalisht”.
Nën regji të Zana Hoxhës, premiera e sonte do të ketë shikues anëtarët e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe disa anëtarë të tjerë të komunitetit artistik. Një publik më i gjerë do të mund ta shohë shfaqjen vetëm nëse transmetohet online. /koha.net/ KultPlus.com