6 Maj, 2020 - 2:47 pm
Jeta Zymberi
Virusi Covid-19 doli të jetë një dry i fuqishëm. Izolimi që solli ky virus pati pasoja të mëdha. Por, tash ka ardhur koha që këto pasoja të kthehen në ide, fuqi e punë për të përmirësuar situatën. Ndonëse rreziku është ende prezent mes nesh, mund të themi lirisht që pjesa më e keqe ka mbetur pas krahëve, shkruan KultPlus.
Institucionet kulturore ju bashkuan valles së izolimit. Teatri Kombëtar i Kosovës, me repertorin e pezulluar, premierat e shtyera, provat e anuluara dhe mbylljen e teatrit për afro 2 muaj, u mundua që gjatë kësaj kohe të mos largohet nga publiku. Në pamundësi për t’i dhuruar publikut shfaqje në sallë, teatri erdhi në shtëpitë e tyre përmes shfaqjeve online.
Por, me lehtësimin e masave nga Ministrisë së Shëndetësisë, TKK ka menduar për disa alternativa që të jetë sa më afër publikut.
Ardian Morina, ushtruesi i detyrës së udhëheqësit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës, në një intervistë për KultPlus ka folur më gjerësisht rreth planeve që po synojnë t’i realizojnë gjatë kësaj situate. Ai ka treguar që data 19 mars ishte rezervuar për shfaqjen “Zgjimi i Pranverës”, 3 prilli për “Rinocerontin”, 28 prilli për “Lear”, ndërsa në maj ka qenë e planifikuar premiera në Ëolksbuhne, Berlin, e shfaqjes “Udhëtimet e Karl May”, si dhe në fillim të qershorit premiera e shfaqjes “Pamje revolucioni”.
“Sigurisht që pandemia ka çrregulluar oraret e të gjitha institucioneve të kulturës, por fatkeqësisht ka çrregulluar edhe jetërat e njerëzve si edhe funksionimin normal të gjithë globit. Fatkeqësisht TKK nuk i ka shpëtuar kësaj situate. Natyrisht që tani, të gjendur para një akti të kryer, ne pothuajse kemi humbur pjesën e parë të stinorit artistik”, ka thënë Morina për KultPlus.
Hapja e teatrove dhe kinemave, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, pritet të ndodhë në bazë të fazës së tretë të masave ndaj koronavirusit, muajin që vjen. Ky lajm për Morinën është shumë i mirë dhe tashmë ai ka kërkuar informata shtesë nga MKRS.
“Sapo e kemi parë publikimin e këtij lajmi kemi kërkuar nga MKRS informata shtesë. A do të hapet teatri për administratën? Për aktorët…për prova? Apo edhe për publikun dhe për shfaqjet në skenën e mbrëmjes? Pra jemi në pritje të një përgjigje nga institucionet përgjegjëse. Natyrisht e gjithë kjo do të varet edhe prej situatës në terren. Mirëpo për të filluar punën me datë 2 Qershor, teatrit i duhet parapërgatitje 2 javore për të nisur me repriza dhe premiera ashtu si duhet.”
Duke dashur që teatri t’i kthehet jetës “normale”, Morina ka treguar që është hartuar një plan B. Kështu, po synohet që premiera e parë e këtij viti, “Zgjimi i pranverës”, një bashkëprodhim me Artpolis, me regji të Zana Hoxhës, të inskenohet në amfiteatrin e Gërmisë, në muajin qershor.
“Duke e ditur mundësinë e moslejimit të grumbullimeve në hapësira të mbyllura, ne planifikojmë që të realizojmë në ambient të hapur premierën e shfaqjes “Zgjimi i pranverës”. Besojmë se amfiteatri i Gërmisë plotëson disa kritere për realizimin e kësaj premiere, aq më tepër kur shfaqja është tip mjuzikli. Kjo do të ishte edhe një sakrificë e gjithë ekipit të shfaqjes por është sakrificë që ia vlen. Por, po e përsëris, vetëm po planifikojmë! Sepse pa lejen e organeve përkatëse do të jetë e vështirë. Nëse na lejojnë të fillojmë me prova në fillim të fazës së tretë, atëherë ne do të kishim premierën në fillim të Qershorit”, thotë tutje Morina.
Nëse mundësohet realizimi i kësaj premiere, Morina zotohet që do të nisë punë edhe më fuqishëm.
“Me realizimin e mundshëm të kësaj premiere ne do t’i rindiznim motorët e kulturës duke sjellë një energji te komuniteti dhe të gjithë shoqëria. Shpresojmë se kjo pandemi do të kalojë dhe ne të gjithë ti kthehemi punëve, jetëve tona, gjithnjë duke u kujdesur për njëri tjetrin. Ky është mësimi që kemi marrë gjatë kësaj kohe. Dhe le ta dijë virusi dhe të gjithë virusët e tjerë, se teatri ka ekzistuar para nesh dhe do të ekzistojë përjetësisht. S’ka gjë që e ndalë forcën e teatrit!” – përmbyllë me këtë fjali të fuqishme intervistën për KultPlus, Adrian Morina.
Ndërsa regjisorja e shfaqjes “Zgjimi i Pranverës”, Zana Hoxha ka thënë për KultPlus se e ka mirëpritur këtë iniciativë e cila beson që mund të shndërrohet në një festë kulturore.
“Kur Adriani e ndau me mua idenë dhe iniciativën për mbajtjen e shfaqjes në Amfiteatrin e Gërmisë u gëzova dhe e pranova me kënaqësi idenë sepse i përshtatet shumë shfaqjes sime dhe besoj që do të shndërrohet në një festë kulturore. Me përkrahjen e duhur teknike ne do të arrijmë që të kemi një premierë unike”, është shprehur Zana. / KultPlus.com