I riu nga Podujeva arrin të punësohet në NASA

27 Janar, 2019 - 10:00 am


Shumë të rinj nga Kosova ia kanë mësyrë botës. Edhe pse për ndonjërin një gjë e tillë nuk ka dalë si vendim i duhur, për shumicën diçka e tillë është treguar shumë e suksesshme. Këtë e dëshmojnë edhe të rinj të shumtë të Kosovës, njëri ndër ta është edhe Xhafer Rama nga Podujeva.

Xhafer Rama, 24-vjeçar me prejardhje nga fshati Turuçicë i Podujevës është llapjani që ka vazhduar me suksese në Amerikë. Si 21 vjeçar Rama ishte punësuar si asistent i matematikës në “Berea Collage” në Kentucky të Amerikës. Por, ai nuk u ndal me kaq. Së fundi Rama është punësuar edhe në NASA.

Vetëm 24-vjeçar dhe me gjithë këto suksese, për shumë kë duket paksa e çuditshme, por e arritshme për Ramën.  Në këtë universitet Rama thotë se është personi i parë që përfundon tri drejtime brenda një afati të shkurtë kohor. Ai thotë se tani punon si inxhinier në Agjencinë Hapësinore në Amerikë, NASA.

“Kam përfunduar tri drejtime, matematikë, shkenca  kompjuterike dhe ekonomi brenda katër viteve në “Bera Collage”, në Ketucky të Amerikës. Ky universitet njihet se Harvardi i Amerikës Jugore. Kam diplomuar si nxënës i dalluar, por njëkohësisht edhe nxënësi i parë në historinë e universitetit që përfundon të tri drejtime brenda  një kohe të shkurtër. Kam aplikuar në shume vende për punë, njëra prej tyre ishte edhe NASA. Aktualisht jam duke punuar si inxhinier i softuerit (Softëare Engineer) te NASA në Uashington. Puna ime është t’i zbatoj analizat matematikore në mënyrë që të dizajnoj dhe zhvilloj faqe të ndryshme të internetit, ku personeli i Ministrisë së Brendshme marrin rezultatet e që unë ua ofroj”, ka rrëfyer Rama për Llapi.info.

Por, kjo nuk është puna e vetme për të. Kjo, pasi që ai punon dhe në kompani tjera.

“Gjithashtu jam duke punuar në një kompani “Blue Raster”, ku menaxhoj data-bazat dhe faqet e internetit. Njëkohësisht kontraktoj edhe për firma të pasurive të patundshme, ku në bazë të algoritmeve që i përpiloj, ata janë në gjendje të dinë ku mund të ndërtojnë banesa dhe zyre që janë përfituese. Në bazë të ekspertizës që kam treguar në fushën e matematikës, ekonometrisë dhe programit jam gjithmonë në kërkesë në vendin ku punoj, po dhe në kompani të tjera që t’ua përpiloj algoritmet që me të vërtetë janë vendimtarë ku kompanitë do ta bëjnë hapin e radhës”, ka vazhduar ai.

Pas gjithë këtyre, Rama ka edhe një synim, që në të ardhmen të zotërojë një kompani.

“…Unë synoj që një ditë të kem kompaninë time, ku do t’ju dorëzoj klientëve të ndryshme në Amerikë softuerë që ua mundëson të marrin vendime se ku do të përhapet sëmundja e radhës apo ku është vendi më oportunist ku kompanitë mundem me hap ndërtesa që janë fitimprurëse. Në përfundim, unë jam veç 24 vjeç. Shkollën Fillore e përfundova në fshatin Orllan, ku edhe kam jetuar pas luftës, ndërsa shkollën e mesme në Prishtinë në shkollën “Prishtina High School”, derisa tani jeton në Uashington”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Rama ka marrë pjesë në shumë aktivitete, me ç’rast atij i janë ndarë edhe  shumë mirënjohje./KultPlus.com

Të ngjajshme