29 Maj, 2019 - 9:00 am
Ja se çfarë tha gjatë asaj vizite njeriu që kërkon të zgjidhet President i SHBA-së në 2020.
Nga Ruben Avxhiu
Dhjetë vjet më parë, zëvendës-presidenti i atëhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph Biden, vizitoi Kosovën.
Biden ka qenë një nga mbështetësit e hershëm të Kosovës në Senatin Amerikan. Ka mbështetur fuqimisht ndërhyrjen ushtarake të NATO-s, në Kosovë, si dhe është shprehur në favor të pavarësisë së Kosovës, përpara se këto dy zhvillime të bësheshin realitet.
Vizita e tij në maj 2009 kishte një rëndësi të madhe për shqiptarët. Për ata që mbase e kanë harruar, ne dinim pak për Presidentin e ri Barack Obama. Ndryshe nga John McCain dhe Hillary Clinton, ai kishte pak njohuri për Kosovën dhe deklarata e parë si kandidat presidencial kishte ndikime të forta të lobit serb.
Shumë shqiptarë shihnin si garanci të madhe në administratën e re vendosjen e Joe Biden në postin e zv-presidentit. Në atë kuptim, kjo vizitë e parë në Kosovë, ishte një konfirmim i vijueshmërisë që pritet zakonisht nga politika e jashtme amerikane pavarësisht prej ndërrimit të administratave. Jo të gjithë shqiptarët janë të kënaqur nga roli i Bidenit si zv-president karshi Ballkanit. Shumë kanë pritur më shumë presion të tij ndaj dy figurave kryesore të kohës Thaçit dhe Vuçiqit. Mirëpo, në aradhën e politikanëve të lartë amerikanë, janë pak ata që dinë të flasin për Kosovën pa u këshilluar më parë me stafin, sim und të bëjë Joe Biden.
Sot, Biden është një nga kandidatët kryesorë të Partisë Demokrate për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Ai është një nga kandidatët më të njohur për shqiptarët dhe me shqiptarët. Ndonëse është shpejt të dihet nëse do të mund të triumfojë brenda kampit demokrat dhe aq më pak nëse do të arrijë të mundë presidentin në fuqi Donald Trump, është pozitive që një kandidat me njohuritë e tij ndërkombëtare dhe për Ballkanin në veçanti është në këtë garë.
Në këtë kontekst ndoshta ia vlen rishikimi i fjalimit të tij, dhjetë vjet më parë, në Kosovë. Ndonëse nuk është e thënë që pikëpamjet e tij si zv-President në 2009 të jenë të njëjtat me ato nëse zgjidhet dhe fillon punën si President në 2021, përsëri ato janë një pikënisje në përpjekjet për të njohur kandidatët e këtij cikli zgjedhor dhe atë që besojmë se e njohim më mirë, si fillim.
Lexim të mbarë.
Teksti i fjalimit nga zv-Presidenti Joe Biden:
Ju falenderoj për mikpritjen. Është një privilegj qe jam në vendin tuaj edhe pse kam ardhur pak me vonesë më lejoni të uroj ditëlindjen, 1 vjetorin e Pavarësisë. Po kështu më lejoni t’ju falenderoj për Medaljen e Lirisë, edhe në emër të popullit amerikan, sepse e konsideroj nder për vendim tim këtë çmim.
Kam pasur një lloj qetësimi se do të isha pranë jush sepse keni bërë gjera të mrekullueshme. Unë kam udhëtuar në këtë rajon si senator por është hera e parë, si Zv.president i SHBA-së. Kam qenë në Bosnje, në Serbi dhe tani jam në Kosovë. Qëllimi ynë është i drejtpërdrejtë: Stabilizimi dhe përparimi i rajonit. Politika e SHBA-së është që Europa të jetë e lirë.
Për ju, rruga drejt Pavarësisë ka qenë e vështirë dhe ju e fituat. Por, sot detyra juaj është shumë e madhe. Opsioni i vetëm është stabiliteti në rajon, sepse pavarësia është e pakthyeshme, absolutisht e pakthyeshme. Suksesi i një Kosove të pavarur është prioritet për administratën Obama. Prioritet është sepse SHBA do që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë të integruara në Europë. Pranimi i Kosovës nga shtete të ndryshme të botës është pranimi i realetit. Ne do t’ju ndihmojmë të ndërtoni shtetin tuaj. Deri tani ju keni luajtur një rol jetik për demokracinë e vertetë. Unë ju përgëzoj për hapat që keni marrë për një demokraci shumëetnike dhe në paqe me fiqnjët. Keni miratuar ligje sipas Planit Ahtisari dhe keni fqinjësi të mirë.
Demokracia e Kosovës është forcë për stabilitetin rajonal, ndaj ka shumë punë për të bërë dhe njerëzit tuaj shpresojnë shumë nga ju. Si mik i Kosovës dhe si një përfaqësues i një vendi që ka investuar për ju, më lejoni t’ju them se:
Së pari ndërtoni institucione të forta dhe transparente. Zbatoni në mënyrë të plotë Planin Ahtisari, sigurojuni lirinë gjithë komuniteteve ndëretnike, hapni vende punë dhe forconi gjyqësorin pasi është themeli i demokracisë. Miratoni dhe zbatoni ligje efikase. Qeveria të bashkëpunojë me EULEX-in. Krijoni struktura shumetnike në dogana në polici e kudo.
Ju keni përgjegjësi të posaçme të shmangni frikën. Duhet të ofroni mbrojtje të fuqishme për pakicat etnike në pronat dhe shtëpitë e tyre.
Ruani trashëgiminë kulturore dhe lirinë fetare siç është Manastiri i Deçanit që do ta vizitoj sot.
Serbët e Kosovës duhet të marrin pjesë në institucionet e Kosovës. Unë siç e dini po vij nga Beogradi dhe drejtuesve atje iu thashë të mos krijojnë struktura paralele.
Po kështu iu kërkova liderëve të Serbisë të ndalin embargon ndaj Kosovës.
Shtetet e Bashkuara dhe Presidenti Obama ju jemi mirënjohës për punën e kryer. Me pavarësinë e Kosovës, ëndrra për futjen e Ballkanit Perëndimor në BE vazhdon. / KultPlus.com