24 Janar, 2019 - 10:00 am
Në përkujtim të 100-vjetorit të vdekjes së Ismail Qemalit, Muzeu Historik Kombëtar organizon tryezën e rrumbullakët dhe çel të hënën e ardhshme ekspozitën me titull “Rrugëtim – Ismail Qemali ndër vite”.
Tryeza e Rrumbullakët Shkencore do të fokusohet në rolin dhe veprimtarinë e Ismail Qemal Vlorës në çështjen shqiptare. Ligjëruesit në Tryezën Shkencore janë prof. dr. Valentina Duka, prof. dr. Kaliopi Naska, prof. dr. Nevila Nika, prof. dr. Frederik Stamati, dr. Ariola Prifti, dr. Paulin Marku dhe dr. Ardit Bido.
Ekspozita është realizuar për të kujtuar Ismail Qemalin dhe kontributin e tij të paçmuar për kombin shqiptar. Ismail Qemali ka lindur në Vlorë, më 24 janar 1844, në qytetin, ku 68 vjet më vonë do të shpallte pavarësinë e Shqipërisë.
Ekspozita është konceptuar si një rrugëtim i jetës së Ismail Qemalit. Ajo hapet me fotografinë e tij në moshën 27-vjeçare, në një nga shumë funksionet që ai ushtroi në Perandorinë Osmane, si President i Komisionit Europian të Danubit.
Udhëtimi i Ismail Qemalit me bashkëpunëtorët e tij në Shqipëri, nga Trieste për në Durrës, përshkruhet në fotografitë dhe shkrimet e gazetave “Le Figaro” dhe “La Presse”.
Ekspozita prezanton për publikun objekte vetjake të Ismail Qemalit, si flamurin e tavolinës dhe gotën e ujit. Gjithashtu, ekspozita përmban objekte nga fondi i Muzeut Historik Kombëtar, pena me të cilën u firmos Akti i Pavarësisë së Shqipërisë, aparati telegrafik i përdoruar nga Qeveria e Vlorës, një flamur të vitit 1913, gazeta të vitit 1912, si edhe libra dedikuar Ismail Qemalit./ atsh