19 Shtator, 2017 - 4:50 pm
Pas shumë kronikash dhe shqetësimesh publike në lidhje me degradimin e vendvarrimit të Skënderbeut, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro e pa nga afër gjendjen në të cilën ka degraduar memoriali në Lezhë dhe zona muzeale që e rrethon atë.
Restaurimi i vendvarrimit të Skënderbeut, vendosja e shtatores së Skënderbeut pranë zonës muzeale dhe shpallja e 2 marsit feste kombëtare ishin kërkesa që i janë paraqitur ministres Kumbaro nga nënkryetarja e Bashkisë së Lezhës Alfrida Marku e cila shoqëronte ministren.
“Unë ju bëj thirrje që ta mbështesni Lezhën në tre ide dhe projekte mjaft të rëndësishme të paraqitura pres saj. Shpalljen e datës 2 mars si ditë feste kombëtare, vendosjen e shtatores së Gjergj Kastriotit në sheshin që mbanë të njëjtin emër, si dhe miratimin e projektit të Bashkisë Lezhë për restaurimin vendvarrimit të Heroit Tonë Kombëtarë”, tha Marku.
Kërkeses së bashkisë Kumbaro iu përgjigj pozitivivisht, por duke kërkuar nga kjo njësi vendore që të depozitoje projekte konkrete në mënyre që të financohet edhe restaurimi i tij.
“Nuk kemi për momentin ndonjë projekt të dorëzuar nga Bashkia Lezhë për këtë çështje, dhe ky takim ishte mjaft i rëndësishëm me nënkryetaren e Bashkisë, për të diskutuar se si mund të bashkëpunojmë më mirë. Ne do të mirëpresim projektin për të bashkuar forcat jo vetëm se jemi në prag të Vitit të Skënderbeut, por edhe sepse kjo është mënyra se si mund të nxjerrim më të mirën nga bashkëpunimi mes pushtetit lokal dhe atij qendrorë” tha Kumbaro.
Rikonstruksioni i çatise, ndriçimi, vendosja e fonisë, si dhe rrethimi i zonës për ta mbrojtur atë nga dëmtimet apo keqërdorimi janë disa nga nevojat imediate që ka mazeolumi i heroit tonë kombëtar në Lezhë.
Por absurditeti më i madh është fakti se Bashkia e Lezhës nuk ka ende gati projektin e plotë në mënyre që ndërhyrja të nisë sa më shpejt.
Ndërkohë që me dhjetëra herë ky institucion ka kërkuar ndërhyrje për rikonstruksion të këtij memoriali, shkruan RT./ KultPlus.com