24 Shtator, 2021 - 9:33 pm
Me rastin e 110-vjetorit të ngritjes së Flamurit Kombëtar në Deçiç nga heroi Ded Gjo Luli gjatë kryengritjes së Malësisë së Madhe dhe të Kuvendit historik të Grecës, Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti veprimtarinë historike, kulturore dhe artistike të Shoqatës “Kënga Jonë”, që u zhvillua në Shkodër.
Presidenti Meta vlerësoi me dekoratën “Nderi i Kombit” luftëtarin e paepur dhe atdhetarin legjendar Prekë Cali (pas vdekjes) “Për kontribut të shquar në mbrojtjen e kufijve shqiptarë në Kelmend të Malësisë së Madhe, gjatë viteve 1911-1926. Në nderim të sakrificave të tij sublime, që lartësuan flamurin kombëtar, duke luftuar deri në vetëmohim për liri dhe mëvetësi”.
Po ashtu, presidenti Meta dekoroi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” atdhetarët e shquar: Pretash Zekë Ulajn (pas vdekjes) “Në vlerësim të kontributeve të spikatura si komandant i flamurtarëve të Kojës, në ngritjen e flamurit në malin e Deçiçit, më 6 prill 1911. Me mirënjohje dhe nderim ndaj sakrificave, atdhetarizmit dhe patriotizmit të treguar për të lartësuar flamurin kombëtar dhe vlerat liridashëse të shqiptarëve.”;Prekë Gjolajn (pas vdekjes)“Me mirënjohje ndaj kontributeve dhe akteve trimërore me pushkë e me penë në dorë për lirinë dhe mbrojtjen e trojeve shqiptare të Malësisë së Madhe e më gjerë, gjatë viteve 1911-1921. Në nderim të sakrificave dhe atdhetarizmit të treguar për të lartësuar flamurin kombëtar.”;si dhe Kolë Maç Smajlajn (pas vdekjes) “Me mirënjohje ndaj kontributeve të shquara për mbrojtjen e trojeve shqiptare në vitet 1911-1921, duke luftuar deri në vetëmohim. Në nderim të sakrificave dhe atdhetarizmit të treguar për të lartësuar flamurin kombëtar”.
Në fjalën e tij përshëndetëse, presidenti Meta u shpreh se “110 vjet më parë, mendja, sytë dhe shpirti luftarak i shqiptarisë ishin drejtuar në zemrën e Malësisë, në këtë vatër të atdhedashurisë.Vitet 1910-1911 ishin vite të zhvillimeve të stuhishme, pasi dhuna dhe represioni i pushtuesit otoman kishte detyruar të linin trojet, duke u larguar nga shtëpitë shumë qendrestarë e patriotë të spikatur shqiptarë”.
“Kjo situatë solli krijimin e Komitetit të Kryengritjes, apo Komitetin e Podgoricës, të cilët të udhëhequr nga legjendari Ded Gjon Luli, më 24 mars 1911, filluan Kryengritjen e Malësisë.Kjo kryengritje shumë shpejt morri përmasa të jashtëzakonshme dhe pas sukseseve të dy javëve të para, në 6 prillit 1911, trimat e Malësisë, të mbështetur dhe nga përfaqësues të viseve të tjera, çuan në vend amanetin e Gjergj Kastriotit, duke shpalosur flamurin kombëtar me shqiponjën dy-krenore në Deçiç.Në këtë kryengritje nuk ushtoi vetëm pushka dhe trimëria, por spikati dhe mendja e pena diplomatike e prijësve, që realizuan kuvendin historik të Greçës. 12 kërkesat e memorandumit, të shkruara në këtë kuvend, kishin në themel lirin, mëvetësinë dhe Flamurin Kombëtar. Kryengritja e Malësisë dhe gjithë përpjekjet e popullit tonë, për liri e pavarësi, janë udhëhequr e drejtuar nga udhëheqës të zotë, të pushkës e penës, njëri prej të cilët ishte dhe mbetet përgjithmonë Prek Cali, lindur në vitin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në familjen e Hasanajve të Kelmendit”, tha ai. / KultPlus.com