2 Shtator, 2021 - 7:30 pm
112 vite më parë, nga data 2-9 shtator 1909, në qytetin e Elbasanit u zhvillua një ngjarje e shënuar në historinë e arsimit, shkollës e kulturës shqiptare, që në histori njihet si “Kongresi i Elbasanit” apo “Kongresi i shkollave shqipe”, ku morën pjesë 35 përfaqësues nga 28 klube e shoqëri patriotike, brenda e jashtë territorit shqiptar, shkruan KultPlus.
Kongresi i Elbasanit hapi rrugën e shkollimit laik në trevat shqiptare, shtroi detyrën e përgatitjes së kuadrove arsimore, bëri organizimin e shkollave dhe sigurimin e fondeve për mbajtjen e tyre, caktoi rregullat e drejtimit të shkollës dhe bashkoi shqiptarët pa dallim besimi e krahine.
Në këtë Kongres u hodhën bazat e arsimit kombëtar shqiptar për dituri e kulturë. Gjithashtu u punua për një shqipe të shkruar e të njësuar dhe për herë të parë në të u hodh ideja e drejtshkrimit të gjuhës shqipe, ideja për bashkimin e dy dialekteve me zgjedhjen e dialektit të Elbasanit si model të shqipes së shkruar.
Kongresi u thirr me nismën e klubit shqiptar të Selanikut.
Kongresi vendosi të themelohej në Elbasan, në vjeshtën e 1909-ës, një shkollë e mesme pedagogjike (Normale) shqipe me gjashtë klasa, që do të përgatiste mësues për shkollat fillore shqipe dhe do të mbahej me kontributin e të gjitha klubeve dhe shoqërive shqiptare.
Mësuesit e parë të normales do të pushtonin të gjitha trojet shqiptare, që nga zonat e thella malore, Kosova, Çamëria apo në çdo cep ku duhej përhapur gjuha amtare, pa të cilën një komb është i destinuar të zhduket. Normalja e Elbasanit mban titullin e lartë “Nderi i Kombit” akorduar nga Presidenti i Republikës.
Vendimet e Kongresit të Elbasanit i dhanë një hov të mëtejshëm Lëvizjes Kombëtare e në mënyrë të veçantë luftës për përhapjen e shkollave dhe te shkrimit shqip. / KultPlus.com