19 Shkurt, 2018 - 12:38 pm
116 fidanë të cilët simbolizojnë shtetet të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës janë mbjellë dje paradite në Prekaz, përkatësisht në Kompleksin Memorial Adem Jashari.
Teksa pllaka me emrat e pesë shteteve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur ende Kosovën janë vendosur si ftesë që këto të fundit ta njohin sa më parë pavarësinë e vendit.
Ndërkaq, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj përmes këtij aktiviteti shfrytëzoi rastin që në 10 vjetorin e pavarësisë të Kosovës të ftojë vendet që nuk e kanë njohur ende Kosovën, t’i bashkohen 116 shteteve tjera, transmeton ksp.
Sipas saj, Kosova po dëshmon se është për paqe dhe stabilitet, andaj pritet që shumë shpejt edhe pesë vendet e tjera anëtare të BE-së ta njohin shtetin e Kosovës.
“Për nder të 10 vjetorit të pavarësisë të shtetit ne kemi vendosur që të bëjmë mbjelljen e 116 fidanëve, në shenjë simbolike për shtetet që e kanë njohur vendin tonë. Gjithashtu kemi bërë hapësirat gati edhe për të gjitha shtetet tjera që nuk e kanë njohur Kosovën, sidomos 5 shtetet e BE-së. Kosova është pjesë e Evropës, andaj ne nga ky vend i bëjmë thirrje të gjitha shteteve që nuk na kanë njohur që ta njohin sa më parë që është e mundur Kosovën sepse Kosova po e dëshmon se është për stabilitet, për paqe në rajon dhe këtë nuk mund ta mohojë tashmë askush. Presim që shumë shpejt këto shtete ta njohin vendin tonë”, tha ajo.
Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari tha se vet organizimi i këtij aktiviteti në Prekazin heroik, dëshmon rëndësinë e madhe historike që kjo pjesë ka për shtetin e Kosovës.
“Vet simbolika e vizitës së ministres, ministrit të Maqedonisë dhe ambasadorëve, tregon rëndësinë e veçantë që ka ky vend për shtetin tonë të Kosovës që ne dje dhe sot po festojmë në vazhdim 10 vjetorin e shtetit tonë”, theksoi ai.
Të pranishëm në këtë aktivitetet ishin edhe ambasadorë e përfaqësues të shteteve që e kanë njohur Kosovën, si të Finlandës, Italisë, Hungarisë e Maqedonisë.
Ministri i mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor të Maqedonisë, Sadulla Duraku, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë, theksoi rëndësinë që ka ky aktivitet simbolik në përkujtimin dhe nderim të dëshmorëve.
“Simbolika e mbjelljes së fidanëve në tokën që u derdh gjaku dhe u ujit kjo tokë. Shpresojmë që këto fidane të rrezatojnë në të mirë të njerëzimit”, u shpreh ai.
E këtij aktiviteti i është bashkangjitur vullnetarisht Let’s do it Kosova, ku vullnetarë të kësaj organizate kanë ndihmuar Hortikulturën në mbjelljen e fidanëve./ KultPlus.com