4 Korrik, 2020 - 3:22 pm
Hoxhë Hasan Tahsini u lind në fshatin e Ninatit, pranë Konispolit. Studimet e para i ndoqi në Stamboll.
Kur ishte ende i ri u caktua si mësues pranë shkollës osmane në Paris, ku gjatë kësaj kohe ndoqi edhe studimet për matematikë dhe shkenca natyrore pranë Universitetit të Parisit.
Më 1870 u emërua rektori i parë i të porsathemeluarit Universitet të Stambollit ku dha leksione fizike, astronomie dhe psikologjie. Tahsini shkruajti të parin traktat psikologjie në osmanisht të titulluar Psikologjia ose Shkenca e Shpirtit, një vepër e frymëzuar nga modernizmi. Shkruajti gjithashtu të parin libër për astronominë moderne, duke qenë edhe libri i parë i shkencës popullore në osmanisht.
Përveç themelimit dhe emërimit në krye të Universitetit të Stambollit, themeloi edhe “Xhemijet-i Ilmijje-i Arnavudijjê” (Shoqëria e Dijetarëve Shqiptarë apo Kuvendi Shkencor Shqiptar). Së bashku me Sami Frashërin, ai hartoi edhe një alfabet të veçantë për gjuhën shqipe. Tahsini punoi për alfabetin shqip duke shpikur edhe një alfabet të vetin, si dhe punoi në Komitetin qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare. / KultPlus.com