14 Gusht, 2017 - 10:23 am
Hasan Prishtina ishte ideolog dhe veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare; përfaqësues i lëvizjes për një shtet demokratik në Shqipëri dhe një nga frymëzuesit kryesorë të idesë për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me shtetin shqiptar.
Lindi në vitin 1873. Kreu gjimnazin francez në Selanik dhe shkollën e lartë të administratës e njohur me emërtimin “Mylkije” në Stamboll.
U zgjodh tri herë deputet në parlamentin osman dhe mbrojti me forcë të drejtat kombëtare të shqiptarëve. Hasan Prishtina, Ismail Qemali e patriotë të tjerë shqiptarë ishin nismëtarët e organizimit të kryengritjes kundër osmane të shqiptarëve të vitit 1912.
Në vitet 1916-1918 bashkëpunoi me autoritetet austro-hungareze me qëllim që të përfitonte nga ndonjë rrethanë e përshtatshme për të realizuar bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ishte një nga drejtuesit kryesorë të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare të Kosovës”. Në vitin 1921 u zgjodh deputet në këshillin Kombëtar. Drejtoi qeverinë shqiptare për një periudhë disa ditore në dhjetor të vitit 1921. Gjatë viteve 1922-1933 ishte një përfaqësuesit kryesorë të opozitës ndaj mënyrës së qeverisjes së Ahmet Zogut. Gjatë gjithë periudhës së viteve ’20 të shekullit XX ishte një nga ideologët kryesorë të tezës: “Pa Kosovë nuk ka Shqipëri”.
U vra më 14 gusht 1933 në Selanik nga një “mik” i tiji, Ibrahim Çelo. Vrasja u krye në orën 2 mbasdite më datë 13 gusht 1933. Në rrugën Çimisqi u pa një zotëri i moshuar, i mbajtur mirë dhe me tipare simpatike, të ecte përkrah e të fjaloste me një person të veshur mirë, i gjallë, sa e tradhëtonte dhe toni i zërit. Arritën në kryqëzimin e rrugës Çimisqi-Vogaxhiku dhe po drejtoheshin për tek bakallhane “IVI” dhe në largësi dy hapa nga kinkaleria e invalidit J.Janopullo. Njeriu me pamje të zymtë nxorri rrufeshëm revolverin e markës “SMITH” dhe shtiu kundrejt bashkëbiseduesit 4 herë, i cili ishte Hasan bej Prishtina, që ra në trotuar. Kalimtarët e mbledhur nga të dy të shtënat, panë vrasësin të turret me mizori të parrëfyer mbi viktimën dhe t’i zbrazë edhe tre plumba të tjerë, dy në kraharor dhe të tretën në kokë, si e shtënë vdekjeprurëse, për të qenë i sigurtë për përfundimin e aktit të vrasjes. Fill pas krimit të tij vrasësi, që t’i ikë rrezikut prej turmës së mbledhur që u vu për ta kapur, ia dha vrapit nga rruga Vogaxhiku.
Në vitin 1977 eshtrat e tij u sollën nga Selaniku në Shqipëri. / KultPlus.com