25 Nëntor, 2020 - 12:02 pm
Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur sot përmes një videoje në rrjetet sociale 15-vjetorin e përfshirjes së këngës polifonike shqiptare në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë të njerëzimit”, mbrojtur nga UNESCO.
“Gjuha, kënga polifonike dhe identiteti i shqiptarit kanë qenë dhe do të jenë përherë një e të pandarë! Lavdi përjetë këngës polifonike!”, shprehet kreu i shtetit.
Statusi i plotë:
Sot kam kënaqësinë dhe krenarinë e veçantë të përshëndes 15-vjetorin e përfshirjes së këngës polifonike shqiptare në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë të njerëzimit”, mbrojtur nga UNESCO!
Urimi më i përzemërt shkon për të gjithë korifejtë shqiptarë të polifonisë, të cilët në rolet e “Marrësit”, “Prerësit”, “Hedhësit” dhe “Isos” së kësaj kënge, kanë mbajtur gjallë dhe transmetuar këtë traditë të shquar kombëtare, brez pas brezi.
Përshëndes kontributin e grupeve krijuese, bartësve, interpretuesve, rapsodëve, studjuesve dhe artistëve të folkorit e kulturës popullore!
Ky akt vlerësimi i UNESCO-s reflekton shkallën e lartë të cilësisë së trashëgimisë sonë shpirtërore kombëtare, identitetin e spikatur kulturor dhe talentin e bartur në vite të genit shqiptar.
Gjuha, kënga polifonike dhe identiteti i shqiptarit kanë qenë dhe do të jenë përherë një e të pandarë! / KultPlus.com