24 Shtator, 2018 - 12:30 pm
15 pjesëmarrësit e Ateliesë së Restaurimit, vullnetarë nga shtete të ndryshme si: Portugalia, Zvicra, Gjermania, Hondurasi, Italia etj, përjetuan një eksperiencë unike, duke realizuar punë konkrete konservuese-restauruese. Ata u bënë pjesë aktive e zbatimit të projektit për restaurimin e çatisë së Kishës së Shën Sergjit dhe Bakut, monument kulture i kategorisë së I-rë.
Gjithçka u realizua nën drejtimin teknik të stafit të specializuar të Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Berat dhe Vlorë. Vlerësojmë punën e mrekullueshme të 4 mjeshtrave: Sybi Kurti, Brahush Hajdari, Rasim Shuka dhe Aurel Agollari.
Kisha e Shën Sergjit dhe Bakut, monument kulture i kategorisë së I-rë, është ndër objektet më të hershme të kultit në bregdetin e Himarës. Ajo është ndërtuar brenda mureve rrethuese të kështjellës së Himarës, në kuotën më të lartë të saj.
Atelieja e Restaurimit u organizua nga Instituti i Monumenteve të Kulturës në bashkëpunim me organizatën European Heritage Volunteers, Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare –Vlorë dhe GIZ Albania. Ajo është pjesë e aktiviteteve të certifikuara të Vitit Europian të Trashëgimisë Kulturore 2018./ata