24 Janar, 2020 - 9:01 am
Sot bëhen 198 vjet që nga vrasja e sunduesit dhe feudalit më të fuqishëm të Shqipërisë së Mesme dhe Jugore, Ali Pashë Tepelena.
I njohur si “Luani i Janinës”, Ali Pashë Tepelena, në historiografinë shqiptare njihet si themelues i Pashallëkut autonom të Janinës, si dhe si një kryengritës kundër pushtimit osman.
“Luani i Janinës”, kishte lindur rreth viteve 1740-1750 në Tepelenën e Labërisë dhe kishte vdekur më 24 Janar 1822, duke mbrojtur trojet shqiptare të Epirit nga forcat osmane. Ali Pasha më 1784 kishte gradën e Pashait, si komandant ushtarak pranë Valiut të Rumelisë në Sofje. Po këtë vit ai kishte siguruar me luftë qeverisjen e sanxhakut të Delvinës.
Në vitet 1786-88 ishte bërë derbendpashë dhe qeveritar i Sanxhakut të Tërhallës (Thesali) dhe shtiu në dorë, sidomos me përkrahjen e borgjezisë zejtare-tregtare të vendit, qeverisjen e sanxhakut të rëndësishëm të Janinës, duke shtrirë kështu pushtetin e vet mbi Epirin dhe një pjesë të trojeve jugore shqiptare. Rreth 1787, ishte i thirrur në Kostandinopojë Tepelenë Dervenci Ali-Pasha për gjithë e Thesalisë.
Si pronar i madh tokash, sipërmarrës i taksave shtetërore, si pjesëmarrës aktiv në veprimtari tregtare dhe duke mbrojtur interesat e çifligarëve të rinj po dhe të borgjezisë tregtare, të cilën e bëri për vete me një politikë tolerance të gjere fetare, Ali Pashë Tepelena i kishte mënjanuar përkrahësit e pushtetit qendror osman dhe “tiranët e vegjël” si shkaktarë të anarkisë feudale në vend.
Ai i shndërroi kështu trevat e përfshira nën sundimin e tij në një formacion shtetëror autonom, që dallonte nga viset e tjera të perandorisë për nga rregulli, qetësia dhe zhvillimi ekonomik e kulturor. Janina u bë një qytet nga më të rëndësishmit dhe më të begatë në viset Perëndimore të Ballkanit, qendër e tregut ndërkrahinor të Rumelisë Jugore, qe përfshinte edhe një varg krahinash të Shqipërisë, një vatër arsimore dhe kulturore ku filloi të përdorej si gjuhë shkrimi dhe shqipja.
Në vitet 1798-1812, duke nënshtruar me luftë qeveritarët rivalë të sanxhaqeve fqinjë si dhe krahinat e vetëqeverisura të Sulit, Himarës, etj. dhe duke shfrytëzuar situatën e vështirë të Perandorisë Osmane në periudhën e luftërave të Napoleon Bonapartit, Ali Pashë Tepelena arriti të zgjeronte e përforconte pushtetin e vet, duke përfshirë trevat që nga gjiri i Prevezës deri afërsisht në lumin Shkumbin. Pashallëku i Janinës ishte bërë një faktor me rëndësi ndërkombëtare në kushtet kur forcat franceze që ishin vendosur në Ishujt Jonianë si dhe Anglia, drejtuan vëmendjen e tyre ndaj sundimtarit të fuqishëm shqiptar dhe krijuan lidhje direkte diplomatike me të, duke kapërcyer Portën.
Ali Pashë Tepelena ishte bërë kështu një sundimtar faktikisht i pavarur, por gjithmonë i kujdesshëm, për të mos krijuar konflikte të parakohshme me pushtetin qendror osman, duke pritur një moment të volitshëm për t’u shkëputur prej këtij. Në vitet 1820 – 1822, Ali Pashë Tepelena kishte filluar luftën për mbrojtjen e vendit nga sulmi i forcave të Perandorisë Osmane dhe me këtë filloi faza më e lartë e veprimtarisë së, sundimtarit shqiptar për të shkëputur zotërimet e veta nga vartësia e Perandorisë.
Ali Pashë Tepelena i kishte bërë ballë rrethimit për një vit e gjysmë dhe bëri një qëndresë këmbëngulëse, deri sa i ngujuar në kalanë e ishullit të Liqenit të Janinës, u vra nga ushtria osmane. Turqit i prenë kokën, e dërguan në Stamboll dhe e ekspozuan në kamaren e Portës së Lartë. / KultPlus.com