24 Mars, 2019 - 10:30 pm
Në vitin 2010 Fahrija vendosi që vetë të marrë rolin e burrave, që nuk ishin më. Ajo themeloi “Kooperativën Bujqësore Krusha”, punësoi rreth njëzet të veja lufte nga fshati. Kështu, filloi të përpunojë speca, patate, qepë dhe tranguj nga fusha rreth fshatit dhe t`i shesë ato në tregjet e regjionit. “Puna shëron”, thotë Fahrija.
“Lotët ende nuk janë tharë nga mizoritë në Kosovë”. Kështu mund të përkthehet në shqip titulli i një reportazhi të zgjeruar që ka botuar gazeta zvicerane Tagblatt (dhe e kanë marrë edhe disa gazeta tjera) në prag të 24 marsit, ditës së fillimit të sulmeve të NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë e në Serbi.
Gazetari ka vizituar Krushën e Madhe, njërën ndër vatrat e masakrave më të mëdha të kryera në Kosovë nga serbët ku në bashkëbisedim me gratë që kanë mbetur për të vazhduar jetën në këtë fshat të shkatërruar, ka evokuar tmerin e ndodhur 20 vite më parë, shkruan albinfo.ch. Por më shumë se kaq, ai është ndalur në jetën që bëhet në këtë fshat të mbetur pothuaj vetëm në gra, pasi që shumica e burrave dhe djemve janë vrarë nga soldateska serbe ose konsiderohen të zhdukur, sot e 20 vjet më parë.
“Para 20 vitesh NATO filloi bombardimin e trupave serbe. Ishte ky aksioni i parë humanitar luftarak i Aleancës. Me të do të duhej të përfundonin mizoritë në Kosovë, mizoritë sikur ajo në fshatin Krushë e Madhe.
Fahrije Hoti ndalon dhe e shikon bashkëbiseduesin në sy. Ajo qeshet shkurt, i heq flokët e ngjyrosura me të kuqe nga balli dhe vazhdon të rrëfejë për ditën që asaj i shkatërroi jetën. Ka qenë 25 marsi 1999, një e enjte. Ajo ishte zgjuar pak pas orës 5 dhe jashtë kishte dëgjuar të shtëna e britma njerëzish. Lufta në Kosovë po vazhdonte prej muajsh por deri në atë ditë, në fshatin e bujqve, në Krushë të Madhe, terrori nuk kishte mbërritur akoma. Fahrija e zgjon vajzën e saj trevjeçe dhe e merr në krah të birin, foshnjë tremuajshe. Para shtëpisë e takoi bashkëshortin e saj, Bashkimin. “Serbët e kanë rrethuar fshatin, fshihuni”, bërtiti ai. Pastaj iku nga aty. Ishte hera e fundit që Fahrija e pa Bashkimin.
Fahrije Hoti
Nëna e re me fëmijët e saj iku drejt malit. Gjysma e fshatit ishte grumbulluar aty ku dhe qëndroi deri në mëngjesin e nesërm. Pastaj serbët i zbuluan. Gratë u grumbulluan në xhaminë e fshatit, një pjesë burrave u ngarkuan në një kamion ndërsa të tjerët i futën në një shtëpi të zbrazët ku shtënë me pushkë në ta. Pastaj trupat serbe ia futën zjarrin shtëpisë. 182 burra vdiqën aty. Gratë u ndoqën nga fshati. “Ikni drejt perëndimit, drejt vdekjes”, u bërtisnin atyre burrat e uniformuar, shkruan gazeta zvicerane, transmeton albinfo.ch.
Fahrija eci, me ditë të tëra. Në vazhdimësi atë e parakalonin makina ushtarake serbe, prej nga ushtarët e përqeshnin, pështyenin dhe urinonin. Në rrethinën e Rugovës, gratë e Krushës së Madhe u ndaluan në një postbllok serb. Njëri nga policët ia mori djalin dhe po e mbante lart në duar. Ajo i dha atij të holla, të gjitha që i kishte. Ai i mori, e hodhi foshnjën në tokë dhe vazhdoi tutje me të vetët. Fahrija e ngriti të birin nga toka dhe vazhdoi të ecte më tej, deri në kufirin me Shqipërinë. Tre muaj ka pritur atje, derisa në qershor, lufta kishte marrë fund. Pastaj qe kthyer në fshatin e saj të shkatërruar.
Lufta, thellë në kockat e njerëzve
Sot, 49 vjeçja rri ulur pranë një tavoline në një kontainer të bardhë. Në mur janë të varura fotografitë e grave fshatare dhe certifikata në kornizë. Kontaineri është selia e kooperativës bujqësore të Fahrijes, të cilën ajo e ka themeluar para 9 vitesh, transmeton albinfo.ch. Ajo thotë se kjo ishte përpjekja e saj për të krijuar një realitet të ri. Por jashtë në fshat, këtu në perëndim të Kosovës, realiteti i vjetër vazhdon të jetë i kapshëm. Përmendoret dhe emrat e rrugëve të kujtojnë heronjtë e rënë të luftës, simbolet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK-së, shihen kudo. Lufta ka 20 vjet që ka përfunduar. Por ajo vazhdon të mbetet edhe sot e gjithë ditën, thellë në kockat e njerëzve.
Kur serbët masakruan familjet fshatare të Krushës së Madhe, situata në krahinën e atëhershme të Kosovës kishte kohë që kishte dalë nga kontrolli. Nga shkurti i vitit 1998 po luftonin trupat e liderit serb, Millosheviç dhe njësitet guerile të UÇK-së. Millosheviçi dëshironte që me të gjitha mjetet të pengonte ndarjen e mëtejshme të shtetit të përgjysmuar të Jugosllavisë. UÇK ndërkaq synonte që të çlironte popullatën shumicë shqiptare të Kosovës nga kthetrat serbe, transmeton albinfo.ch. Më 24 mars 1999, para saktësisht 20 viteve, NATO nën drejtimin e SHBA-së vendosi që me “Operation Allied Forces” t`u jipte një fund mizorive luiftarake në Kosovë.
Aleanca perëndimore ndërmori hapin ekstrem: një ndërhyrje ushtarake pa mandat të OKB-së dhe pa qenë i kërëcënuar drejtpërdrejt ndonjë shtet anëtar i NATO-s. lufta e Kosovës ishte “aksioni i parë humanitar ushtarak” i NATO-s. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan pati deklaruar në ditët e para të luftës se “ka kohëra kur përdorimi i dhunës në shërbim të përpjekjeve për paqe mund të jetë legjitim”. Presidenti amerikan Bill Clinton u sqaronte bashkëkombësve të vet përmes një fjalimi televiziv nga Shtëpia e Bardhë se, qëllimi i vetëm i kësaj lufte ishte dëbimi i trupave serbe nga Kosova dhe përfumimi i mizorive në krahinë.
1200 aeroplanë luftarakë nga 14 shtete kanë bërë fluturime kundër trupave të Milosheviçit. “Janë shkatërruar 650 fshatra dhe velerësohet se kanë humbur jetën 13500 njerëz nga “reshjet e bombave”. (V.J. Këtu gazeta ngatërron numrin e viktimave nga bombat, me atë të shkaktuar nga trupat dhe paramilitarët serbë, duke ia imputuar pa të drejtë, sulmeve të NATO-s!. albinfo.ch). Rreth gjysma e gjithë tokës bujqësore në Kosovë pas luftës ishte shkretëruar, një e treta e shtëpive, të pabanueshme.
Njëra ndër masakrat më të rënda të luftës
Në Krushën e Madhe pas luftës asgjë nuk ishte si më parë. 793 shtëpi ishin shndërruar në hi e pluhur. Por nuk ishin vetëm muret e rrënuara të shtëpive të tyre që po vështirësonin jetën e grave të fshatit. Ishin para së gjithash burrat e zhdukur. Kur Fahrije Hoti dhe fqinjet e saj qenë kthyer në fshatin e tyre në qershor 1999, vetëm atëherë e kishin kuptuar me të vërtetë se çfarë kishte ndodhur në muajin mars. Ato qëndronin para kodrave me trupa të karbonizuar, disa klithnin, të tjerat heshtnin, të gjitha të përhumbura e të pafuqishme. Masakra e cila ua grabiti burrat, konsiderohet si njëra ndër më të rëndat në luftën e Kosovës. Në aktakuzën kundër Millosheviçit, i cili qe detyruar të përgjigjej në Tribunalin e Hagës për rolin e tij në luftë, kësaj masakre i është kushtuar vend i veçantë. Por Milosheviçi vdiq në qelinë e tij ende pa iu shqiptuar vendimi gjyqësor, përcjell albinfo.ch. Drejtësia nuk ka ardhur kurrë më për gratë e Krushës së Madhe.
Fahrija e mban unazën e saj martesore edhe sot në dorën e saj të majtë. Është gjëja e vetme që i ka mbetur nga i shoqi. 170 euro në muaj i merr ajo si pension, ashtu sikurse edhe 138 të vejat tjera në Krushën e Madhe. Përgjigje për atë çfarë ka ndodhur me burrin e saj, nuk ka marrë kurrë.
Fahrija thotë: “Kjo qëndron mbi mua si një hije. Nuk mund ta heq dot”.
Në vitin 2003 ajo themeloi shoqatën “Të vejat e Krushës”. Fahrija dhe gratë tjera në “Fshatin e të vejave të luftës” i vunë vetes si qëllim, t`i gjenin burrat e tyre të zhdukur. Mbështetje nuk morën pothuaj fare, kërkimi për burrat që nuk u gjetën kurrë, mbeti i pasuksesshëm.
“Puna shëron”
Për këtë arsye, në vitin 2010 Fahrija vendosi që vetë të marrë rolin e burrave, që nuk ishin më. Ajo themeloi “Kooperativën Bujqësore Krusha”, punësoi rreth njëzet të veja lufte nga fshati. Kështu, filloi të përpunojë speca, patate, qepë dhe tranguj nga fusha rreth fshatit dhe t`i shesë ato në tregjet e regjionit. “Puna shëron”, thotë Fahrija.
Sot kooperativa e saj punëson 48 veta. Këtij numri pastaj i shtohen dhjetra bujq nga regjioni të cilët i sjellin perimet e tyre në kontainerin e bardhë, ku punëtoret e Fahrijes në kazana gjigantë prodhojnë ajvar, dhe specialitete tjera, transmeton albinfo.ch. Ato punojnë në dy ndërrime, 24 orë në ditë. 600 tonelata perime i kanë përpunuar ato në vitin që shkoi. Ato furnizojnë tregjet në gjithë vendin dhe eksportojnë në Gjermani e në Zvicër.
Shumëçka sot është ndryshe, më e profesionalizuar, më e madhe se para 9 vitesh, kur Fahrija kishte themeluar kooperativën. Por një gjë ka mbetur njësoj: logoja në kavanozat e prodhimeve. Ajo tregon një grua fshati me shami të bardhë në kokë. “Në fillim ne mbanim shaminë e bardhë si shenjë solidarizimi me burrat tanë të zhdukur”, thotë Fahrija. Sot ajo u thotë klientëve se kjo është thjesht, simbol për paqen.
Fahrija është krenare se me themelimin e kooperativës, ajo ka arritur t`u japë punën dhe dinjitetin të vejave nga Krusha. I biri i saj, i cili si foshnjë qe hedhur në tokë nga polici serb, sot studion teknologjinë ushqimore në Prishtinë. Ai dëshiron ta marrë përsipër kooperativën dikur. “Por, sa të jem unë këtu, unë ngelem shefi”, thotë Fahrija dhe qeshet, përnjëherë me zë dhe me zemër.
Se çfarë ka ndodhur atëbotë në mars 1999 me burrin e saj dhe nëse ai gjendej diku në kodrën prej kufomave të karbonizuara apo qe transportuar me kamion në drejtim të lumit, këtë Fahrija nuk e di as sot, përcjell albinfo.ch. 1666 persona në Kosovë vazhdojnë të konsiderohen si të zhdukur lufte, në mesin e të cilëve edhe 59 burra dhe djem nga ky fshat. 20 vjet pas luftës Fahrija ka hequr dorë nga kërkimi. Varri i Bashkimit në varrezën e bardhë të Krushës së Madhe mbetet bosh./ albinfo.ch