27 Mars, 2024 - 9:27 am
Sot janë bërë 25 vite që kur kriminelët serbë kanë djegur Shtëpinë Muze të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku ishin 11 mijë eksponate historike.
Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si tërësi urbanistike dhe arkitektonike që ndodhet në pjesën e vjetër të qytetit të Prizrenit. Kompleksi ndodhet në mes të lumit Lumbardhi i Prizrenit, Kompleksit të Marashit (Mësonjëtorja – Dersëhanja), Rrapit të Marashit, dhe shpateve të Kalasë së Prizrenit.
Në kuadër të këtij kompleksi ndodhet ndërtesa e Lidhjes së Prizrenit, Muzeu, Biblioteka dhe Leximorja, Galeria e Arteve, Medreseja, Xhamia e Mehmet Pashës, Tyrbja si dhe objektet e banimit.
Në vitin 1946, Kompleksi i Lidhjes së Prizrenit u emërtua si Sheshi i Lidhjes së Prizrenit dhe u regjistrua si vlerë në Raportin Teknik të UNESCO-s.
Pas viteve 50 të shekullit XX kanë filluar rrënimet masive të objekteve të vjetra duke zgjeruar rrugët, duke ndryshuar rrjedhën e lumit Lumbardh në emër të “modernizimit” të qytetit. Tani nga ky Kompleks kanë mbetur pak objekte banimi të ruajtura dhe janë shkatërruar edhe disa pjesë të medresesë.
Në vitin 1968 për arsye të ndërtimit të rrugës është bërë rrënimi i objekteve buzë lumit derisa vetëm ndërtesa e Rezidencës Qeveritare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dislokohet për disa metra në perëndim. Edhe në vitet 1976/78 janë bërë ndërhyrje të rëndësishme duke rrënuar disa objekte të Kompleksit të Gazi Mehmed Pashës për të formuar Muzeun e Lidhjes së Prizrenit për nder të 100 vjetorit të saj.
Ndërsa, gjatë luftës së fundit në Kosovë, në vitin 1999 është djegur tërësisht ndërtesa e Rezidencës Qeveritare të Lidhjes së Prizrenit e cila është rindërtuar në qershor të vitit 2000. / KultPlus.com