6 Nëntor, 2021 - 4:30 pm
Parku Arkeologjik i Apolonisë u vizitua nga 28 600 turistë gjatë 10-mujorit të 2021.
Kështu konfirmoi sot për ATSH-në, drejtoresha e Parkut Arkeologjik të Apolonisë, Ornela Durmishaj, ndërsa iu referua statistikave të numrit të turistëve.
Durmishaj tha se “Parkun Arkeologjik të Apolonisë e kanë vizituar 13 741 turistë të huaj dhe 14 844 vendas”.
Ndërkohë edhe nisma e Ministrisë së Kulturës për të vizituar falas të dielën, sitet arkeologjike dhe monumentet e Kulturës, duket se ka pasur ndikimin e vetë në shtimin e numrit të vizitorëve.
Apolonia në Fier është një nga sitet më të mëdhenj të Shqipërisë, por edhe një nga qytetet më të mëdhenj në botën antike. Ajo është një nga vlerat e perlat e trashëgimisë tonë arkeologjike. Janë 36 Apoloni në pellgun e Mesdheut dhe Apolonia e Ilirisë është më e madhja.
Apolonia është themeluar rreth fillimit të shek të VII para Krishtit. Gjurmët më të hershme i kemi prej fisit ilir të Taulantëve që jetonte në këto territore. Bashkëjetesa e këtyre të fundit me kolonët Korkyras solli themelimin e qytetit të Apolonisë në shekullin e VII p. Krishtit.
Me interes të madh për vizitorin në Apoloni janë monumenti i Agonotetëve, Odeoni, Biblioteka, muri rrethues, vila me impluvium, vila romake me mozaikë, muzeu arkeologjik, Kisha e Shën Mërisë./atsh/KultPlus.com