5 Mars, 2019 - 11:26 am
Nga Gëzim Kabashi
Në fillim të marsit 1991 mijëra shqiptarë u larguan nga vendi, duke shfrytëzuar anijet e ankoruara në kalatat e portit më të madh të vendit.
Tre vjet më parë Autoriteti Portual APD, në bashkëpunim me Bashkinë Durrës dhe Agjencinë Telegrafike Shqiptare ATSH organizoi një fotoekspozitë me momente nga ditët e eksodit të marsit dhe gushtit të vitit 1991.
Një homazh për qindra e mijëra të rinj e të reja që u larguan me anije nga vendi, duke i dhënë grushtin e fundit diktaturës. Kështu u konsiderua nga shikuesit e shumtë fotoekspozita “Porti i Durrësit – 25 vjet pas Eksodit”, e cila u hap më 2 mars 2016 në galerinë e arteve “Nikolet Vasia” të qytetit të Durrësit.
25 fotot e paraqitura me logon e ATSH-së mbanin firmën e fotografëve Gani Xhengo, Arben Çela dhe Mihal Progonati, dhe bashkë me ngjarjet e eksodit të vitit 1991 sollën edhe momente nga puna në port gjatë viteve 1970-1980.
Në javën e parë të marsit 1991 brenda 30 orësh në portin e Brindizit (Itali) janë ankoruar 24 mjete lundruese, me një numër të jashtëzakonshëm njerëzish nga Shqipëria.
Fotot e kësaj ekspozite paraqiten herë pas here nga APD në veprimtari të ndryshme njohëse në portin më të madh të vendit. / KultPlus.com