6 Tetor, 2018 - 9:13 pm
“Të gjitha ne kemi një histori të emrit që mbajmë dhe çfarë na bashkon është krenaria” ishin këto fjalët e 28 Vlorave nga Kosova, të cilat u pritën në një takim nga kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.
Vajzat nga Kosova ndodhen në qytetin bregdetar nga i cili kanë marrë edhe emrin për një vizitë dy ditore në Vlorë. Në këtë udhëtim të veçantë interesante ishte edhe pjesëmarrja e një vajze të vogël vetëm gjashtë muajshe.
Gjatë takimit në bashki ato shoqëroheshin edhe nga ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
Ky është ndër aktivitet e para që ka organizuar Ambasada e Shqipërisë në Kosovë për nder të Festës së Flamurit.
Në qëndrimin e tyre në Vlorë 28 vajzat vizituan edhe Muzeun e Pavarësisë, si dhe kalanë e Kaninës, jo vetëm për të vizituar kalanë, por edhe për të shijuar peizazhin e emrit që mbajnë.
Udhëtimi është vazhdimësi e 40 Sarandave në Sarandë, ndërsa bëhet e ditur se edhe në të ardhmen do të realizohen udhëtime të tilla./ata