8 Janar, 2024 - 12:30 pm
Mbi 30 mijë vizitorë panë gjatë vitit 2023, Muzeun e Artit Mesjetar. Lajmin e ndau në rrjetet sociale, kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo.
“Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë është një nga hapësirat më të bukura muzeore dhe një nga destinacionet më të rëndësishme të trashëgimisë tonë kulturore, i cili ka pritur përgjatë vitit që lamë pas më shumë se 30.000 vizitorë vendas dhe të huaj”, është shprehur Filo.
Sipas kryebashkiakut të Korçës, të shumtë kanë qenë vizitorët edhe në ditët e para të këtij viti, të cilët janë mrekulluar nga objektet e ekspozuara në këtë muze.
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, në Korçë, u përurua më 24 prill 1980. Ai është një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë e më gjerë. Fondi i tij ka mbi 7 mijë objekte kulti e arti, kryesisht ikona e më pak punime guri, druri, metali e tekstili të krijuara nga mesjeta e hershme deri në fillim të shek. XX prej artistësh anonimë e të mirënjohur, nga treva të ndryshme të vendit. Në sallën kryesore janë vendosur një koleksion ikonash dhe objekte nga më të mirat, krijuar në shekuj e që pasqyrojnë momente të ndryshme të zhvillimit të ikonografisë shqiptare dhe përfaqësuesit kryesorë të tyre. Aty ka vepra të autorëve anonimë të shek. XIII-XIV dhe të tjerë të mirënjohur si: Onufri, Onufër Qiprioti, Mësues Kostandini, Jeromonaku, Shpataraku, Selenicasi, vëllezërit Zografi etj./ atsh / KultPlus.com