8 Gusht, 2021 - 9:33 am
Nga Klevis Hoxhaj
Për shumë shqiptarë, Italia do të thoshte liri dhe shpresë për një jetë më të mirë”.
Kështu deklaronte kohë më parë, ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi di Maio, kur mirëpriste kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama lidhur me eksodin e shqiptarëve.
8 gusht 1991. Atë ditë – tridhjetë vjet më parë – pamja e papritur e anijes “Vlora”, e tejmbushur nga njëzet mijë burra, gra dhe fëmijë shënoi një pikë kthese epokale për Italinë, shkruan në artikullin e saj “Corriere Della Sera”.
E përditshmja italiane, në vijim shkruan se në sytë e shqiptarëve shihej uria, lexohej shpresa e konfuzioni i atyre që erdhën nga një shtet i reduktuar për 41 vjet nën diktaturën buro-komuniste të Enver Hoxhës.
Në janar, raportet e para nga Tirana, duke përfshirë një nga Rai të “Isabella Stasi Castriota Scanderbeg” (i cili mbante në mbiemër lidhjen laike me heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbej, i vrarë në 1468 pasi u rrek të kundërshtonte pushtimin e turqve), tregonin për një Shqipëri të rraskapitur.
Corriere përshkruan faktin se si përballja e italianëve me shqiptarët e sapoardhur ishte një “shok” i vërtetë.
“Ata nuk dukeshin sikur vinin nga disa milje detare, por nga një Itali e mjerë e shekullit më parë”, shkruan më tej e përditshmja italiane.
Marrëdhënia fillestare ishte shumë e mundimshme. Dhe me kalimin e viteve ajo gjithashtu do të përkeqësohej nga gabimet e pafalshme të kaq shumë emigrantëve të cilët, të mjerë, arkaik dhe të çmendur nga një diktaturë e izoluar nga bota, shpesh nuk respektonin as rregullat më elementare.
Sot, lidhja që bashkon Italinë dhe Shqipërinë është më e gjallë se kurrë. Rajoni i Puglia-s dhe autoritetet shqiptare organizuan një sërë ngjarjesh për të përkujtuar zbarkimin.
Më 23 korrik, një kremtim i jashtëzakonshëm u festua në Kishën e San Nikolës, ndërsa në datat 5-8 gusht qyteti i Durrësit do të presë një ekspozitë të fotografes Eva Mexe.
Eva ishte vetëm 24 vjeç kur u ngjit në “Dolce nave” drejt Italisë, ku ajo ka jetuar që atëherë duke punuar si përkthyese dhe ndërmjetëse kulturore.
Kur 20 mijë shqiptarë iu afruan bregdetit italian, kryebashkiaku i atëhershëm i Barit, Enrico Dalvino, i priste në skelë.
Ai bërtiste: “Ata janë njerëz, njerëz të dëshpëruar. Ata nuk mund të kthehen, ne jemi shpresa e tyre e vetme”.
Këto fjalë janë të gdhendura aq shumë në zemrat e njerëzve të Barit saqë në vitin 2019 artistja Yasmine Pignatelli i ktheu ato në një vepër të titulluar “Ata janë njerëz”.
Për të festuar 30 vjetorin e zbarkimit, artistja krijoi një instalacion të dyfishtë në Durrës, Shqipëri.
“Ky është përfundimi i punës sime: një tingull i vetëm kaloi detin dhe asokohe dukej një pengesë e pakapërcyeshme”, shtoi Mexe.
“Vlora” ishte një anije tregtare që mbante flamurin shqiptar, e emërtuar prej qytetit në jugperëndim të Shqipërisë.
Më 7 gusht 1991, kur ajo u kthye nga Kuba me një ngarkesë kallam sheqeri, u sulmua gjatë zbarkimit. 20 mijë njerëz në bord detyruan kapitenin Halim Malaki, të lundronte në Itali.
Destinacioni i parë ishte qyteti i Brindis-it, por sapo arriti, zëvendësguvernatori Bruno Pezzuto, e bindi kapitenin të lundronte drejt Bari-t, dhe koha e udhëtimit midis dy qyteteve u përdor për të paralajmëruar policinë dhe për të organizuar qendrat e pritjes.
Pasi “emigrantët” e pashpallur ende si të tillë mbërritën – u vendosën përkohësisht në “Stadio della Vittoria”.
Anija “Vlora” ishte episodi më i famshëm, por jo i vetmi. Pas rënies së diktatorit Hoxha në vitin 1985 situata nuk u përmirësua, dhe falë ndikimit të televizionit italian sinjalet e të cilit shkonin edhe përtej Adriatikut, duke filluar nga vitet ’90 njerëzit e parë vendosën të kalojnë detin në kërkim të një të ardhmeje më të mirë.
Në shkurt 1991, dhjetëra qytetarë shqiptarë filluan të zbarkojnë në portin e Brindisi-t. Eksodi i parë masiv në qytet erdhi rreth 7 marsit të të njëjtit vit. /Albanianpost.com/ KultPlus.com