18 Janar, 2019 - 8:59 am
Vrasja e 34 grave brenda një dekade në Kosovë dëshmon se dhuna në familje është fenomen shqetësues dhe në rritje, del nga një raport i publikuar të enjten nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim (OSBE) në Kosovë.
Raporti ka konstatuar se vetëm vitin e kaluar mbi 400 viktima kanë kërkuar strehim nëpër strehimoret, që merren me viktimat e dhunës në familje, shkruan sot Koha Ditore.
Duke qenë fenomen në rritje, OSBE-ja ka rekomanduar që të shtohet numri i strehimoreve, e veçanërisht të sigurohet financim i qëndrueshëm për to. Në anën tjetër, zyrtarë të institucioneve vendore kanë pranuar se situata është shqetësuese, por kanë thënë se këtë vit do të bëjnë edhe më shumë për minimizimin e nivelit të dhunës.
Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, gjatë publikimit të raportit, ka thënë se kërkesa e 400 viktimave të dhunës për strehim nënkupton se strehimoret shpëtojnë jetë dhe janë të domosdoshme.
Ka thënë se është fakt i frikshëm që vendi më i rrezikuar për jetën e gruas është shtëpia e saj.
Në Kosovë ka shumë raste por kujtojmë Zejnepe Berishën e Diana Kastratin si dy raste që kanë prekur shumë qytetarin e Kosovës, duke mos përjashtuar edhe rastet tjera të grave që u vranë mizorisht nga burrat e tyre. / KultPlus.com