5 Mars, 2018 - 5:00 pm
Janë bërë njëzet vjet nga rënia heroike e familjes Jashari dhe për këto vite, Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, ka pritur më shumë se 12 milionë vizitorë. Numri i vizitorëve, sipas ciceronëve të kompleksit, ka shkuar duke u rritur.
Në këtë vend është investuar, por kullat e qëndresës ende nuk janë konservuar dhe ato po shkojnë drejt shkatërrimit. Kompleksi memorial “Adem Jashari”, prej njëzet vjetësh është shndërruar në vendin më të vizituar në Kosovë. Miliona vizitorë e kanë prekur nga afër historinë e pashembullt të familjes Jashari. Ciceroni i këtij kompleksi, Xhevat Imeri tregon se shpeshherë brenda ditës, kanë qëndruar në Prekaz me mijëra vizitorë.
“Ne kemi thënë gjithherë një numër prej 12 milionësh, por kjo shifër është tejkaluar, duke pasë parasysh se është numër i madh i vizitorëve. Viteve të fundit njerëzit kanë menduar se ky numër ka shkuar duke rënë, por për mendimin tonë dhe nga ajo që kemi parë, ky numër ka shkuar duke u rritur”, tha për televizionin publik Xhevat Imeri.
Në raste festash dhe sidomos gjatë ditëve të Epopesë së UÇK-së me 5, 6 dhe 7 mars, numri i vizitorëve rritet. Por ka edhe të atillë që e vizitojnë edhe në ditë të rëndomta. Bekim Beqiri e Arsim Xhemajli janë dy prej vizitorëve më të shpeshtë të këtij kompleksi. Këta vendas nga rrethi i Skenderajt, thonë se pothuajse çdo javë qëndrojnë në kompleks.
“Vijmë shpesh, të paktën një herë në javë. Vijmë ta vizitojmë si dëshmi lufte, si kanë luftuar. Të ligështohet zemra e trupi kur vjen këtu”, thonë ata. Por, janë qytetarët e një tjetër komune të cilët, sipas ciceronit Xhevat Imeri, shënojnë rekord të vizitave në kompleks.
“Është e pamundur të kalohet një ditë dhe të mos ketë vizitorë nga komuna e Ferizajt. Që mund të them se është komuna numër 1 që e viziton këtë vend”, tha tutje Imeri.
Kullat e familjes Jashari, kanë ndër vendet për të cilat vizitorët tregojnë më shumë interesim të dinë, për vet faktin se kanë mbetur të njëjtat që nga beteja e lavdishme e 5, 6 dhe 7 marsit 1998. Por, kohëve të fundit këto kulla kanë nisur të dëmtohen në mungesë të konservimit.
Sefer Seferi një vizitor, thotë se është e dhimbshme se si po dëmtohet kjo histori. “Po të krahasohet me vitet e kaluara, kjo po shkon duke u dëmtuar. Institucionet e Kosovës duhet të shpejtojnë më shumë që të bëjnë diçka për këtë monument të lavdishëm historik”, thotë Sefer Spahiu.
Përveç qytetarëve, Prekazin e vizitojnë shpesh edhe personalitete të shumta nga jeta publike qoftë shqiptare, qoftë ndërkombëtare. Shumë prej tyre kanë lënë shënime në librin e përshtypjeve. Por ai që mbahet mend është shënimi i francezit Bernard Kushner, i cili thotë: “Po të kishte çmim nobel për liri, me siguri se do t’i takonte familjes Jashari”./ KultPlus.com