11 Mars, 2018 - 9:30 am
Afirmimi i shtetit të Kosovës në botë dhe anëtarësimi në mekanizmat ndërkombëtarë, është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë së Kosovës dhe në këtë aspekt institucionet e Kosovës janë duke bërë të gjitha përpjekjet për anëtarësimin e vendit në dy mekanizma ndërkombëtarë, në INTERPOL dhe në Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Kulturë, Shkencë dhe Arsim (UNESCO), konfirmojnë zyrtarët e ekzekutivit të vendit.
Në rubrikën e përjavshme “FOKUS”, të Radios Evropa e Lirë, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, si dhe njohës të çështjeve të sigurisë dhe zhvillimeve në vend, thonë se me anëtarësimin në këta dy mekanizma ndërkombëtarë, përveç përfitimeve në fushëveprimet konkrete të këtyre mekanizmave, Kosova do të përfitonte edhe në rritjen e subjektivitetit dhe prestigjit të saj ndërkombëtar.
Halil Matoshi, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se ekzekutivi tashmë është duke punuar në përmbushjen e të gjitha kushteve për anëtarësim në këta dy mekanizma.
“Sa i përket çështjeve teknike që duhet përmbushur, do të thotë, kritereve për INTERPOL, Qeveria e Kosovës është gati dhe sigurisht që sivjet do të aplikojë. Kurse, edhe për UNESCO, Kosova tashmë është gati. Dy ligjet, për trashëgimi kulturore dhe për fetë, janë proceduar në Kuvendin e Kosovës. Dikasteret përkatëse vlerësojnë se Kosova i ka edhe numrat e nevojshëm (të vendeve që votojnë), që të bëhet pjesë e këtyre dy mekanizmave”, thekson Matoshi.
Rruga drejt UNESCO-s, më e vështirë
Ndryshe nga mundësia e sivjetme që Kosova të aplikojë për në INTERPOL dhe eventualisht edhe të pranohet, mundësia eventuale e Kosovës për anëtarësim në UNESCO do të jetë vetëm në vitin 2019, kur edhe pritet Konferenca e Përgjithshme e kësaj organizate.
Megjithatë, zëvendësministri Hoti thotë se Kosova po bëhet gati edhe për këtë sfidë.
“Ministria e Punëve të jashtme e ka finalizuar propozim-kornizën për strategjinë për procesin e aplikimit në UNESCO 2019. Duke qenë se procesi i anëtarësimit në UNESCO kërkon mobilizim gjithëpërfshirës institucional të bazuar në planifikim të procesit dhe veprime të koordinuara ndërinstitucionale, dokumenti përmban kornizën që parashikon reformat legjislative, krijimin e mekanizmave gjithëpërfshirës koordinues në nivel nacional, si dhe fushatë të fuqishme diplomatike të koordinuar me partnerët tanë ndërkombëtarë”, thekson Hoti.
Kosova tashmë ka dështuar një herë për t’u anëtarësuar në UNESCO.
Ish-ministri Hyseni shpreh mendimin se diplomacia e Kosovës nuk guxon ta bëjë gabimin e njëjtë me atë të vitit 2015, kur sipas tij, nuk është punuar mjaftueshëm me vendet, të cilat e kanë njohur Kosovën. Sipas tij, aktualisht nuk ka sinjale për një vazhdimësi të ruajtjes së raporteve dhe kanaleve të komunikimit me vendet që e kanë njohur Kosovën, por edhe me ato që nuk e kanë njohur.
“Ka një moskuptim të veprimit në rrafshin diplomatik, sepse gjërat merren si të garantuara. Në momentin që të ka njohur një shtet, ne sikur e marrim se e kemi të garantuar përkrahjen e atij shteti dhe kjo nuk ndodh ashtu në rrafshin diplomatik. Shenjat dhe sinjalet që vijnë kohëve të fundit, nuk janë shumë të mira dhe nuk janë shumë premtuese”, konsideron Hyseni.
Më 9 nëntor të vitit 2015, Kosova nuk kishte arritur të bëhej pjesë e UNESCO-s për mungesë të tri votave në favor të pranimit të saj. Për pranimin e Kosovës në UNESCO nevojiteshin 95 vota “për”, që nënkuptonin dy të tretat e votave të përgjithshme të vendeve pjesëmarrëse në Konferencë e Përgjithshme të UNESCO-s, e cila u mbajt në Paris. Në favor të pranimit të Kosovës patën votuar 92 vende./ KultPlus.com