3 Maj, 2018 - 5:30 pm
Divjaka mbetet përsëri në qendër të gravitetit turistik edhe në këtë stinë.
Duke biseduar për ATSH me drejtorin e Parkut Divjakë –Karavasta, Ardian Koçi, mësuam se një grup xhirimi nga BBC ka programuar realizimin e një reportazhi për Shqipërinë në fund të muajit maj dhe një konsideratë të veçantë, gazetarët e BBC i kanë kushtuar Parkut të Divjakës.
Ata kanë bërë guidën e parë në pyllin me pisha dhe në peizazhin lagunor. Kanë vlerësuar menaxhimin e parkut si dhe kujdesin ndaj species së rrallë të Pelikanit Kaçurrel.
Gazetarët britanikë janë njohur me peizazhet natyrore të vendit tonë nëpërmjet dokumentarëve televiziv, spoteve, guidave turistike.
Në fokus të dokumentarit të BBC, do të jenë dhe bunkerët si atraksion turistik.
“Gazetarët anglez dje kërkuan të shikonin njërin prej tyre dhe ne e çuam në Tunelet e Topave 120 mm në bregdet. Ngelën pa fjalë, nuk besonin se ato tunele ishin gërmuar nga njerëzit dhe me mjete primitive. Mendonte se ishin shpella natyrore dhe të betonizuara me vonë. Në mure janë të vizatuara edhe skica te ndryshme të llogaritjes së këndit të qitjes apo edhe shenjat identifikuese të luftanijeve te huaja”, tregon për ATSH Ardian Koçi që i shoqëroi gazetarët.
Grupi i xhirimit i shoqëruar nga specialistët e menaxhimit të parkut, po njihen me pikat më interesante për të filluar xhirimet që do të përfundojnë brenda këtij muaji.
Divjaka pret turistë çdo ditë dhe gazetarët anglezë do të kenë mundësinë ta filmojnë parkun në aktivitet të plotë.