6 Maj, 2018 - 8:46 pm
Shkruan: Gani Mehmetaj
Për Kështjellën e Prezës kanë dëgjuar shumica e shqiptarëve, megjithëse po t’i pyesësh nuk e kanë idenë sa afër e sa larg e kishin. Shqiptarët e veriut të Shqipërisë e të Dardanisë i kalojnë pranë, së paku dy herë në vjet, në të shkuar e në të kthyer nga bregdeti.
Është kështjellë e mrekullueshme mbi një peizazh përrallor, që do t’ ia kishin lakmi kështjellat më të lavdishme në Evropë. Kronisti më i famshëm arbëror, Marin Barleti e përmend duke e përcaktuar vendin e gjendjen e saj në kohën e luftimeve të Gjergj Kastriotit kundër turqve. Kjo fortifikatë ilire me vazhdimësi arbërore, i shërbeu zinxhirit të mbrojtjes kundër pushtuesve që nga antika në mesjetë.
Kështjella e Prezës: “Ka shërbyer për vëzhgimin e rrugëve të rëndësishme ekonomike e ushtarake që kalonin poshtë saj, nëpër fushën e Tiranës”, shkruan Vikipedia. Faqja elektronike nuk e përmend përdhosjen e këtij monumenti arbëror me xhami turke. Ka edhe shëmti tjera, pos xhamisë që e shpërfytyrojnë turizmin e kësaj qyteze.
Rruga gjarpërore e asfaltuar, e rrethuar me murin me gurë skajeve, i japin sharmë të veçantë. Por me t’iu afruar Prezës të pret një befasi, pas shtëpive të bukura, oborreve të rregulluara me premtimit mashtrues se po futesh në një qendër turistike.
Në kthesën e parë ndesh një “dollmush” ( furgon në gjuhën turke) që të habitë se si ende ecën, ndërsa e ka vendin në muzeun e makinave të vjetra. Këtë dollmush e kam parë me 1983 dhe me 1985 në skaj të Anadollit, kur kaptoja qafën e maleve të larta nga Turqia në Siri. Habia tjetër që me la gojëhapur ishte mbishkrimi në turqisht në pjesën e prapme të qelqeve të “dollmushit” me flamurin e madh turk. Mu duk sikur shihja ëndërr: i njëjti dollmush i qafëmaleve turko-siriane qarkullonte nëpër rrugicat me kthesa të Prezës. U hutova edhe unë sikurse grupi i vizitorëve arbëreshë që kishin ardhur në shtegtimin patriotik, nën organizimin e “Folesë Kombëtare Shqiptare”dhe Elida Jorgonit. Nuk dija jam në Anadollin e dyzetë vjetëve më parë, në qafëmalin turko-sirian apo në Shqipëri. Askund nuk pashë flamur shqiptar.
Arbëreshet e sollën një flamur gjigant me vete, që të mos na mbulonte turpi. Shqiptarët nga Dardania e nga Diaspora sollën disa flamuj të Gjergj Kastriotit.
Befasi tjetër që ma forconte bindjen se jam në qafëmalin turko-sirian, ishte xhamia fringo e re në hyrje të kështjellës, në vendin ku gjatë sundimit të Gjon Kastriotit ishte kisha e Shën Gjergjit.
Mbi kishë e kishte ndërtuar xhaminë TIKA , organizatë kulturocide që e rrënon sistematikisht të kaluarën shqiptare në Shqipëri e Dardani dhe e rindërton pushtimin turk, duke i korruptuar e kriminalizuar zyrtarët shqiptarë në të gjitha nivelet.
Në vendin ku do të duhej të lartësohej shtatorja e Gjon Kastriotit, të rindërtohej Kisha e Shën Gjergjit, u përjetësua kujtimi për sulltanin turk që e masakroi popullatën e Prezës, vrau banorët e ultësirës së Tiranës dhe të Arbërisë, dogji kishën dhe ndërtoi xhami mbi te.
Më këtë xhami turke në hyrje të kështjellës arbërore i bëhet goditje e pariparueshme turizmit shqiptar, sepse pos ndonjë anadollaku të rastit, s’ka shqiptar a evropian që do të donte të vinte në Prezë për të parë një xhami fringo të re, sikurse mijëra xhami që i ndërtoi Turqia të ne. Një shembull të ngjashëm të shtetit të turpit nuk ka në Evropë, por besoj as në botë. Edhe shtetet vazale janë më të dinjitetshme.
Në të kthyer i morëm me vete flamujt shqiptarë, Prezës ia lamë xhaminë dhe dollmushin me flamurin turk.
Mu dhimbs restoranti afër kështjellës me gatime të mrekullueshme e verë të mirë, që do të kishte dhjetëfishin e vizitorëve sikur t’ia hiqnin simbolet e pushtimit turk.
Sikur të funksiononim si komb e kolektivitet, do të duhej të bojkotohej Kështjella e Prezës, derisa nuk hiqet xhamia turke e flamujt e nënshtrimit.
Turizëm me xhami e dollmush anadollak nuk bëhet.