10 Maj, 2018 - 4:52 pm
Kumbaro: Ca flasin, ca të tjerë punojnë gjithë ditën
Memoriali i Skënderbeut në Lezhë, Muzeu i Kastriotëve në Sinë të Dibrës – Shtëpia e Vëllezërve Frashëri në Frashër të Përmetit janë tre kantieret e reja të restaurimit që do të nisin këtë verë. Projektet për rijetëzimin e tyre janë miratuar nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila ndan në Facebook me ndjekësit e saj këtë lajm, thekson se teksa shumë flasin, të tjerët punojnë për rivitalizimin e vlerave të trashëgimisë sonë. “Behari është kohë për turizëm, por edhe për restaurime. Ca flasin gjithë ditën e ca punojnë gjithë ditën, te këta të fundit bëjnë pjesë inxhinierët e Institutit të Monumenteve që kanë përgatitur projektet e restaurimit për 3 objektet e përfshira në kalendarin e restaurimeve të Vitit e Skënderbeut: – Memoriali i Skënderbeut në Lezhë, – Muzeu i Kastriotëve në Sinë të Dibrës – Shtëpia e Vëllezërve Frashëri në Frashër të Përmetit. Këshilli Kombëtar i Restaurimeve shqyrtoi e miratoi projektet dhe brenda verës fillon puna në të tre kantieret. Është padyshim kënaqësi për mua të ndaj me ju këto projekte. Shtëpia e Vëllezërve Frashëri në një nga zonat më të bukura të Shqipërisë #MbajmePremtimet #TurizmiKulturor #RrugetEKujteses”, shkruan Kumbaro.
Muzeu i Kastriotëve ndodhet në fshatin Sinë të Njësisë Administrative Arras Bashkia Dibër. Muzeu ka filluar të ndërtohet në vitin 1982 dhe për herë të parë është hapur për publikun në vitin 1985. Mungesa e mirmbajtjes së vazhdueshme si dhe shkaqet e agjentëve atmosferik përgjatë viteve kanë ndikuar në degradimin e objektit. Ndërhyrjet e parashikuara do të konsistojnë në hidroizolimin e tarracës, prishjen e degradimeve, pastrime, lyerje dhe riorganizim të ndriçimit.
Gjithashtu, objekt i këtij projekti është edhe muzealizimi, riorganizimi i muzeut duke filluar që nga pisjet përbërës të mobilimit dhe deri të elementët që do të ekspozohen dhe mënyra e ekspozimit të tyre. Në Memorialin e Skënderbeut në Lezhë ndërhyrja e parashikuar nga IMK dhe Ministria e Kulturës konsiston në punimet restauruese në monument dhe muret e qytetit Antik, ne rikonstruksionin e mbuleses, konsolidimin dhe restaurimin e piktures murale dhe mozaikut.
Ndersa per restaurimin “Shtëpia e Vëllezërve Frashëri”, janë parashikuar ndërhyrje në restaurimin e çatisë, dyerve dhe dritareve në përgjithësi, eleminimi i çarjeve në fasadë, restaurim të dyshemeve dhe riparime në suvatime. Gjithashtu do të bëhet sistemimi i terrenit përreth./ KultPlus.com