Gazetarja italiane: Berati, qyteti magjik me bukuri mahnitëse

16 Maj, 2018 - 1:00 pm

Të kthehesh në Berat, çdo herë është një kënaqësi. Qyteti, nga 2008 është në listën e pasurisë së Unesco-s falë arkitekturës së tij të mrekullueshme që daton prej epokës otomane dhe nga bashkëjetesa paqësore e shumë feve, është i shkëlqyer.

Në vizitat e mëparshme kam ndenjur vetëm disa orë në Berat, por këtë herë, kisha kënaqësinë të kaloja një fundjavë në qytetin më romantik të Shqipërisë dhe të zbuloj me qetësi vendet ikonike të tij.

Kështu e nis shkrimin e saj gazetarja dhe udhëtarja e njohur italiane, Francesca Masotti, të publikuar në blogun e saj “Francesca on the top World”.

Berati është një qytet magjik ku historia e tij është e ndërthurur me tregime legjendare. Ashtu si ai i dy vëllezërve Shpiragu dhe Tomorri në zënkë për një vajzë të bukur, me të cilën ishin të dy të dashuruar dhe luftuan me njëri-tjetrin deri në vdekje. Nga historia e tyre janë lindur malet, ndër të cilat është vendosur Berati: mali i Shpiragut që duket se është prerë në feta dhe mali i Tomorrit, i cili ka gropa të mëdha. Vajza, e trishtuar për rivalitetin midis dy vëllezërve, derdhi shumë lot që, sipas legjendës lokale, i dhanë jetë lumit Osum që sot e ndan qytetin në dy, transmeton atsh.

Çfarë të shikosh në Berat

Goricën

Gorica është një lagje historikisht e krishterë e Beratit. Arrihet duke kaluar Urën e Goricës, një urë që ka një veçori shumë të veçantë: pavarësisht se është një ndërtim masiv, duke ecur sipër lëviz. Unë ju këshilloj që të ndaleni përafërsisht në gjysmë të rrugës në urë për të admiruar pamjet e bukura dhe për të marrë disa fotografi në lagjen tjetër historike të Beratit, Mangalem, për të cilën do të flas më vonë.

Në Goricë gjenden dy kisha ortodokse guri, shtëpi të shumta otomane, kopshte të fshehta. Ecja nëpër rrugët e Goricës është sikur të katapultuar në një dimension përralle: dyer me ngjyrë që fshehin kopshte plot me bimë, macet që flenë në mure, lule në anët e rrugëve. Kjo lagje më impresionoi dhe është e vështirë të mos bie në dashuri me të.

Mangalemi

Nëse Gorica është tradicionalisht zona e krishterë e Beratit, Mangalemi është mysliman. Një nga arsyet që e shtyu UNESCO-n për të përfshirë Beratin në listën e trashëgimisë njerëzore, përveç bukurisë së saj të pamohueshme, ishte bashkëjetesa e vjetër e feve. Berati është, në fakt, një nga shembujt më të mirë të bashkëjetesës fetare në Ballkan.

Mangalem është lagja e njohur për shtëpitë e stilit otoman të mbushura me dritare të shumta, të cilat i kanë dhënë Berat pseudonimin qyteti i një mbi një dritareve, për Muzeun Etnografik, në brendësi të të cilit gjenden artefakte të gjetura në zonë dhe për xhami historike. Më të rëndësishmit janë Xhamia e Plumbit, e vendosur përgjatë lumit Osum, e cila në të kaluarën frekuentohej nga djemtë që kërkonin grua, dhe Xhamia e Mbretit, pranë së cilës është edhe Teqeja Halveti, një vëllazëri e myslimanëve.

Kalaja

Zona e tretë që përbën qendrën historike të Beratit është Kalaja, zona e kështjellës. Për ta arritur atë ju duhet të përshkoni një ngjitje mjaft impenjative që ka origjinën në lagjen Mangalem (ju gjithashtu mund të arrini me makinë, por unë e kam bërë gjithmonë rrugën në këmbë). Hyrja në kështjellë kushton 100 lekë për person, që korrespondon me rreth 70 centë të euros. Zona e kështjellës, ende e banuar sot, është mjaft e gjerë, dhe brenda saj gjenden kisha dhe xhami, përfshirë Xhaminë e Bardhë, nga e cila sot kanë mbetur vetëm mbetjet e vendosura në pikën më të lartë të lagjes, ku gjendet një bar që përgatit një kafe të mrekullueshme turke për t’u shijuar në ajër të hapur.

Dhe kur mendoni se ke parë çdo gjë, Berati të dhuron një surprizë të fundit të këndshme: e fshehur prapa rrënojave të lashta të kalasë, ndodhet kisha më fotozhenike e Shqipërisë, kisha e Shën Triadhës e Shekullit të 13-të. Një xhevahir i fundit për t’u admiruar dhe bërë fotografi, para se të përshëndesësh këtë qytet të bukur që në çdo vizitë të dhuron kujtime të mrekullueshme./ KultPlus.com

Të ngjajshme