20 Mars, 2018 - 10:15 pm
Gili Hoxhaj
Lapidariumi i Muzeut të Kosovës sonte kishte mbledhur përplot njerëz të cilët kishin ardhur për të qenë pjesë e diskutimit lidhur me ‘Hapësirat e braktisura të Kosovës’, diskutim ky i organizuar nga CHwB Kosova, në kuadër të së cilit u promovua edhe libri “Hapësirat e braktisura të Kosovës- 50 tregime të një bote të harruar”, shkruan KultPlus.
Gjatë vitit 2017, CHwB Kosova ka identifikuar 262 ndërtesa të pashfrytëzuara nëpër vende të ndryshme të Kosovës, të cilat janë pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore nën mbrojtje. Ato janë shtëpi tradicionale, salla të kulturës, ndërtesa industriale, kulla dhe përmbajtje të tjera ndërtimore të cilat dikur i shërbenin familjeve, komuniteteve dhe shoqërisë. Fati, kuptimi dhe roli i tyre përcaktohet nga faktor të ndryshëm siç janë zhvillimi i përgjithshëm shoqëror, luftërat, sistemi i ri politik, ndryshimi i sistemit vleror, interesat politike dhe ekonomike, neglizhenca shtetërore dhe e shoqërisë në përgjithësi.
Më shumë për këtë tregoi Drejtori i CHwB Kosova, Sali Shoshi, i cili fillimisht shpjegoi për të pranishmit se këtij diskutimi dhe këtij organizimi, i ka paraprirë një hulumtim rreth 1 vjeçar nga organizata CHwB Kosova.
“Ne kemi mbledhur informata për rreth 950 ndërtesa të Trashëgimisë Kulturore në Kosovë dhe kemi kërkuar informata për gjendjen fizike, lokacioni për tipin e ndërtesës por kemi mbledhur informata edhe për shfrytëzueshmerinë dhe nga ky numër i ndërtesave, kemi hasur në 262 ndërtesa të harruara, të braktisura prej shoqërisë dhe është një paradoks këtu se shumica prej tyre janë të mbrojtura me ligj”, tregoi drejtori Sali Shoshi.
Ai tutje tregoi se fakti që këto 262 ndërtesa janë të mbrojtura me ligj, konsiderohen si vlera dhe braktisen, i ka shtyrë ata edhe drejt krijimit të librit që sonte u promovua.
“Si shoqëri mendoj se është një farë problemi në mes asaj që ne e besojmë, asaj që e mbrojmë me ligj, që mendojmë se është vlerë dhe e braktisim. Ose është me vlerë dhe ruhet ose s’është me vlerë dhe braktiset”, u shpreh në fjalën e tij Shoshi.
Krahas kësaj Shoshi përmendi edhe dy arsye të tjera se përse kjo temë meriton më shumë trajtim; e para se këto ndërtesa janë pjesë e historisë dhe e memories kolektive dhe nëse këto humbin, humb një pjesë e historisë, një pjesë e memories dhe dokumenteve historike të Kosovës. Kurse arsyeja tjetër lidhet me aspektin e dytë që është ekonomik sepse për këto ndërtesa dikush dikur ka harxhuar energji dhe e gjithë kjo energji ka me humbë dhe nuk është pak.
“Pse të mos mendojmë qe këto ndërtesa ti kthejmë dhe ti shfrytëzojmë për aspektin ekonomik, kulturor dhe për aspektin shoqëror. I kam parë dy-tri raste në Kosovë, ku kjo ka funksionuar mjaft mirë”, u shpreh Shoshi.
Shoshi krejt në fund tregoi se libri pasqyron 50 tregim për 50 monumente të harruara. Përmes këtij libri që do të shpërndahet në librari do të tregohet pjesa e bukurisë së trishtë e Kosovës, pasi që ato ndërtesa janë të bukura por janë të trishtueshme sepse aty më nuk ka jetë.
Pas drejtorit Sali Shoshi, në këtë mbrëmje u ngritën edhe shumë pyetje të tjera, të cilat morën përgjigje nga panelistët e këtij diskutimi të moderuara nga Eliza Hoxha. Paneli i kësaj mbrëmje përbehej nga: Arbër Sadiki- arkitekt, Shkëlzen Gashi- publicist, Vjollca Aliu- drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore, MKRS, Linda Gusia- sociologe, Yll Rugova- drejtor i Departamentit të Kulturës në Komunën e Prishtinës dhe Rina Kika nga Termokiss.
Drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore nga MKRS ,Vjollca Aliu tha se Ministria është përpjekur të ndërmarr masa në këto ndërtesa që kanë status të mbrojtjes dhe pse ndoshta jo gjithnjë janë ndarë të kënaqur me rezultatet.
“Titulli i librit që po promovohet sonte, do të na nxis që edhe më tutje t’i trajtojmë këto ndërtesa edhe në aspekt tjetër, jo vetëm në aspektin e mbrojtjes ligjore”, u shpreh fillimisht Aliu.
Pas saj, fjalën e mori publicisti Shkëlzen Gashi i cili theksoi më shumë rëndësinë e mësimit të trashëgimisë kulturore tek fëmijët jo vetëm përmes teksteve mësimore dhe jo vetëm përmes teksteve mësimore të historisë por edhe përmes teksteve të tjera, sidomos të edukatë qytetare, në mënyrë që të nxitet tolerancën dhe mirëkuptimin nëpërmjet komuniteteve etnike por edhe atyre fetare.
“Kur i kam studiuar tekstet mësimore të historisë të shkollës fillore dhe të mesme prej MASHT-it, e kam parë që nuk i mësojnë absolutisht asgjë fëmijëve për sundimin mesjetar serb dhe për objektet e trashëgimisë kulturore të asaj kohe. Përveç që nuk e mësojnë për periudhën e sundimit mesjetar serb, nuk mësojnë as për trashëgiminë kulturore të periudhës së sundimit osman për pesë shekuj”, u shpreh publicisti Shkëlzen Gashi, i cili tutje tha se mungon ndjeshmëria për trashëgiminë kulturore dhe sepse mungojnë njohuritë për historinë dhe pasi që ekziston historia fillon në vitin ’98 dhe ’99.
Sociologia Linda Gusia tha se është e rëndësishme që qyteti të shikohet si institucion dhe ndërtesat e vjetra si monumente që të lidhin me të kaluarën.
“Është me rendësi t’i shohim objektet e braktisura edhe në relacion me atë se si nuk jemi ballafaquar me të kaluarën që mendoj se është një prej problematikave të braktisjes së këtyre objekteve të periudhave të ndryshme.”, tha ndër të tjera Linda Gusia, e cila se tha kjo po ndodhë për shkak të mungesës së ballafaqimit me të kaluarën.
Yll Rugova i cili që dy muaj është në pozitën e drejtorit të Departamentit të Kulturës në Komunën e Prishtinës, tha si para marrjes së kësaj detyre vazhdon ta mbroj të njëjtën kauzë. Ai tha se si pjesë e Komunës së Prishtinës, hapi i tij i parë ka qenë identifikimi i të gjitha hapësirave në Komunë të Prishtinës, të cilat nuk janë duke u shfrytëzuar e që faktikisht nuk janë pak.
“Jam shumë i befasuar për të mirë që kanë ardhur kaq shumë njerëz për këtë temë, besoj që ky numër është një dëshmi për kolegët e mi në Komunë dhe në Ministri, të cilëve kur ua përmendi trashëgiminë kulturore më thonë “Hajt se kërrikujt nuk i intereson ajo punë veç ty edhe njo pesë shokëve dhe shoqeve tua”, kështu që po më duket që numri i të pranishmëve që janë këtu po e dëshmon që nuk është bash qashtu dhe se ka interesim për këtë fushë”, u shpreh Rugova.
Ai tha se në përgjithësi në Komunën e Prishtinës ka mungesë të hapësirave, duke filluar nga mungesa e zyrave në institucionin e komunës së Prishtinës pasi që nuk ka hapësirë për vendosjen e tërë organizatës së Komunës. Ai tutje shtoi edhe për mungesën e hapësirave kulturore pasi që nuk ka sallë koncertale të mirëfilltë, as muze të artit bashkëkohor.
“Prishtina është i vetmi kryeqytet në Evropë, që ka vetëm një muze funksional, dhe duhet të na vijë turp edhe si qytetarë që e kemi lejuar një gjë e tillë. Një nga problemet kryesore është siç e përmendi edhe Linda është se ne duhemi ta shkatërrojmë të vjetrën për ndërtimin e së resë, që për mendimin tim është qasje e gabueshme”, tha tutje Rugova.
Arkitekti Arbër Sadiki lidhur me mosrespektimin ndaj disa periudhave të arkitekturës tha se duhet shtruar pyetja se “Për cilën periudhë kemi respekt?”.
“Unë nuk shoh që kemi ndonjë respekt shumë të madh për hapësirat publike, aq sa janë krijuar pas luftës, nuk shoh që kemi ndonjë respekt as për monumentet që kemi krijuar pas luftës. Ne kemi një problem shumë më bazik, respekt ndaj hapësirës si fenomen kështu që në këtë kënd duhet të shihen të gjitha hapësirat e braktisura”, u shpreh arkitekti Sadiki, i cili tha se duhet gjetur shkakun se përse një hapësirë braktiset, ndërsa shtoi se ai mendon se një hapësirë braktiset për të njëjtat arsye edhe përse krijohet.
“Ne duhet ta shohim edhe mënyrën e qasjes ndaj riaktivizimit të këtyre objekteve duke riaktivizuar aktivitet por jo duke e rikthyer me çdo kusht aktivitetin sepse ne nuk mund të kthejmë kohen, arkitektura ka të bëjë me kohën”, u shpreh tutje Sadiki.
Disa herë gjatë diskutimi u potencua se një shembull i mirë për tu ndjekur është pikërisht Termokissi. Rina Kika tregoi se Termokissi ka filluar si një iniciativë e një grupi të vullnetarëve të cilët kanë qenë nga Prishtina, Belgjika dhe Zvicrra.
“Ata e kanë identifikuar Termokissin i cili që nga fillimi ka qenë një objekt i braktisur për shkak se ka qenë i papërfunduar dhe kanë dashur që t’ia kthejnë qytetit, por që të mos bëhet një hotel apo supermarket por që t’i mbetet qytetit dhe komunitetit të Prishtinës, që ta shfrytëzojnë ashtu siç atyre u doket më e përshtatshme”, tregoi Rina Kika./ KultPlus.com