Perandoria Osmane hapi qindra shkolla serbe në Kosovë

18 Qershor, 2018 - 6:30 pm

Shekulli i nëntëmbëdhjetë u përmbyll me përpjekjet e pafrytshme të rilindësve për të siguruar shkolla shqipe në katër vilajetet me shumicë shqiptare në Perandorinë Osmane.

Derisa mësimi shqip konsiderohej ilegal dhe ndaj arsimdashësve bëheshin persekutime nga më të ndryshmet, e njëjta nuk mund të thuhet edhe për shkollat serbe në Vilajetin e Kosovës, shkruan Konica.al.

Krijimi i shtetit autonom serb më 1830 nën suzernitetin e Sulltanit dhe njohja e ndërsjellë nga Porta e Lartë do t’i jepte dritën jeshile hapjes së shkollave laike serbe edhe jashtë territorit të Serbisë autonome.

Së këndejmi, serbët siguruan leje për hapjen e shkollave të para në Prizren qysh me 1836. Vite më vonë, me 1848 hapen shkolla të ngjashme serbe edhe në Graçanicë, Vushtrri dhe Pejë.

Kulmi i të drejtave kulturore dhe arsimore të serbëve në Vilajetin e Kosovës do të arrinte me hapjen e seminarit ortodoks në Prizren më 1871, i njohur si «Bogoslovija», që sipas fjalëve të studiuesit Robert Elsie, përbënte edhe bërthamën e parë universitare në Kosovë.

Përkrahja e vazhdueshme nga ana e Qeverisë së Beogradit por edhe lehtësirave që krijonte qeveria osmane solli shtimin konstant të numrit të shkollave serbe gjithandej Vilajetit të Kosovës.

Një studim i bërë së fundmi thotë që në vitin shkollor 1893/94 vetëm në sanxhakun e Prishtinës funksiononin 27 shkolla serbe për meshkuj dhe 4 të tjera për femra, me gjithsejtë 1149 meshkuj dhe 207 femra.

Në kapërcyell të shekullit nëntëmbëdhjetë vlerësohej se 1/3 e nxënësve në shkollat serbe ishin femra. Rrjeti i shkollave laike dhe kishtare serbe në Vilajetin e Kosovës do të fitonte edhe të tjera lehtësira nga autoritetet e Vilajetit.

Brenda rrugëve legale, në Graçanicë funksiononte edhe shtypshkronja kishtare, në të cilën më 1884 u shtyp libri i parë i leximit për shkollat serbe në vilajet, e një vit më vonë do të shtypej edhe abetarja e parë në serbisht.

Në gazetën «Prizren», organ zyrtar i Vilajetit të Kosovës që botohej në osmanisht dhe serbisht, në një nga numrat e parë jepej me pompozitet lajmi për hapjen e shkollave serbe se «Me simpati lajmërohet urdhri i vilajetit, që në çdo fshat, që ka më se 100 shtëpi, të ndërtohet një shkollë e bukur».

«Mearif Nezareti», ose Ministria e Arsimit në Qeverinë osmane që ishte themeluar qysh në vitin 1857, nuk dha leje për shkolla shqipe as edhe atëherë kur rilindësit shqiptarë në Stamboll po e problematizonin këtë çështje gjithnjë e më zëshëm, madje edhe në instancat më të larta të shtetit osman.

E vetmja shkollë shqipe në Vilajetin e Kosovës ishte ajo e hapur nga shkodrani, Mati Logoreci. Ajo u hap në vitin 1889 në Prizren në shtrëngesën e aktivitetit ilegal, bashkë më mësuesin Lazër Lumezi. /konica.al/

Të ngjajshme