25 Qershor, 2018 - 10:30 am
Joga është një disiplinë tradicionale indiane, që përfshin si trupin ashtu dhe shpirtin, dhe praktikohet në mbarë botën dhe që nga viti 2016 është pjesë e trashëgimisë jomateriale të njerëzimit.
-Origjina e jogës-
Fjala joga e ka prejardhjen nga sanskritishtja që nënkupton bashkëpunimin, lidhjen, bashkimin, një gjë që sipas historianit Bernard Sergent ilustron më së miri idenë që nënkupton disiplinën, të bashkohesh në një veprimtari të njëjtë intelektuale me atë që praktikon shpirtin universal të botës.
Koncepti i jogës shfaqet në tekste shumë të vjetra si Bhagavad-Gita, teksti themelor i hinduizmit, i shkruar mes shekullit V dhe II para Krishtit.
”Joga është në fakt elementi bazë i hinduizmit”, shprehet indianologia, Tara Michaël.
”Kjo praktikë bazohet në ndërgjegjësimin e natyrës së pakënaqur të gjendjes njerëzore”, shton ajo.
-Një term me shumë kuptime-
”Ky term është i shumëkuptimtë pasi bashkëjetojnë disa joga, klasike, popullore, e ngurtë po edhe ajo erotike”, thekson filozofi dhe romancieri Mircea Eliade në esenë « Teknika të Jogës ».
Për fjalorët modernë perëndimorë, joga është një displinë shpirt-trup që synon të çlirojë shpirtin nga kufizimet e trupit me anë të lëvizjeve, të ritmit apo të frymëmarrjes.
”Sot joga nuk është gjë tjetër veçse një gjimnastikë e shëndetit të mirë”, shprehet Tara Michaël.
-Një rishpikje moderne-
Joga u bë e njohur në Perëndim në fund të shekullit XIX. Në po të njëjtën periudhë, disiplina përjetoi një ripërtëritje të thellë në Indi nën ndikimin e mjeshtrit të hinduizmit modern, Swami Vivekananda (1863-1902).
Ky murg filozof vë theksin në anën racionale dhe shkencore të jogës për ta bërë një disiplinë të arritshme nga perëndimi. Libri i tij « Raja Joga » parashtron bazat e një joge moderne dhe ndërkombëtare.
-Fenomen planetar-
Në vitet ’60-’70, admirimi i ikonave të kulturave dominuese për metafizikën indiane, e ilustruar nga marrëdhënia e Bitëllsave me gurunë indiane, Maharishi Mahesh, popullarizoi jogën si praktikë shpirtërore.
”Në mënyrë krejt të ndryshme, vitet ’80-’90 konstatohet shfaqja e një praktike më laike dhe joga posturale (me qëndrimin ulur) bazuar në metoda atletike dhe dinamike synon të imponohet në Perëndim”, thekson hulumtuesi britanik, Mark Singleton.
-Trashëgimi botërore-
Sot është e vështirë të përllogaritet me saktësi numri i personave që praktikojnë jogën në të gjithë botën. Disa dhjetëra milionë me siguri, disa shprehen për 200 deri në 300 milionë.
Ndërsa studimet tregojnë përfitimet e saj ndaj ankthit, depresionit dhe çrregullimeve të gjumit, joga u regjistrua në dhjetor të vitit 2016 në Trashëgiminë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit nga UNESCO.
Që nga koha e marrjes së detyrës në vitin 2014 kryeministri indian, Narendra Modi e ka shndërruar jogën në një instrumet të ndikimit të Indisë në botë. Ai është iniciatori i një rezolute të OKB-së që nga viti 2015 e regjistroi në kalendar 21 qershorin si Ditën Ndërkombëtare të Jogës./(Nga Olivier Thibault)/ata