16 Prill, 2018 - 2:20 pm
Auron Tare
65 vite të shkuara, si sot, u dha vendimi për Gjyqin e famshëm që Qeveria Komuniste e Shqipërisë bëri kundër grupit të dërguar nga amerikanët nën pseudonimin “Apple” apo i njohur si Grupi i Hamit Matjanit.
Në fakt me deklasifikimin e arkivave amerikane mund të themi se Matjani ishte një pjesëtar jo shumë i rëndësishëm në këtë operacion dhe drejtuesit e vërtetë ishin oficerët e Zogut, Zenel Shehu dhe me vone Halil Branica, të dërguar nga ai personalisht për drejtimin e një rebelimi antikomunist.
Ky grup i rekrutuar nga radhët e njerëzve më të besuar të Zogut, i cili qëndronte në Egjypt dhe kishte filluar një bashkëpunim me operacionet klandestine të amerikanëve për një “kundër revolucion të mundshëm në Shqipëri” u trajnua dhe u përgatit në fshehtësi të madhe nga Amerikanët në stacionin e tyre në Kifisia, Athinë.
Për vite me radhe një operacion shume sekret, por mjaft i përfolur në qarqet profesioniste të inteligjencës vuri përballë njeri-tjetrit dy fuqitë më të rëndësishme të spiunazhit botëror.
Amerikanët e CIA-s dhe KGB sovjetike, e cila ishte këshilltari i fshehtë i Sigurimit.
Por duket se ishte Kundërzbulimi shqiptar, i cili me një profesionalizëm të dukshëm udhëhoqi një operacion kundër CIA-s amerikane duke shkaktuar kthesën e rëndësishme në vazhdimësinë e këtyre operacioneve. Ashtu si në një loje shahu ku kundërshtarët planifikojnë lëvizjet e ardhshme ky Operacion mbajti të mbërthyer në këtë loje nervash të gjithë oficerët e angazhuar në të për gati 16 muaj nga dita kur grupi i Zenel Shehut u tradhtua nga njerëzit e tij dhe u kap nga grupi special i Sigurimit.
Tashmë me deklasifikimin e arkivave amerikane dëshmi shumë interesante dalin mbi këtë operacion jashtëzakonisht të rëndësishëm, i cili për nga mënyra e ekzekutimit dhe profesionalizmi i treguar nga oficerët shqiptarë të kundërzbulimit kanë marrë vlerësimin në heshtje nga kundërshtare e tyre Amerikanët. Operacioni ‘Apple Team” ishte kthesa e rëndësishme e përfshirjes amerikane në operacionet klandestine shqiptare, pasi grupi i përbërë nga agjentë të kalibrit të lartë, të pa përfshirë në bashkëpunim me italianet apo gjermanet gjatë Luftës dhe me mbështetje amerikane konsiderohej si mundësia më e madhe për krijimin e trazirave në Veriun shqiptar me shpresën e një rebelimi dhe rrëzimin e qeverisë Hoxha. Nëse ky operacion do të ishte i suksesshëm do të kishim modelin e parë të rrëzimit të një qeverie komuniste nëpërmjet operacioneve klandestine. Për këtë arsye duket se edhe sovjetiket mobilizuan personel të rëndësishëm për të këshilluar shqiptaret në infiltrimin e këtij operacioni.
Nga arkivat del se Gjenerali sovjetik, Dmitri Kurbatov ishte këshilltari i parë në këtë operacion dhe duket se kanë marrë pjesë aktive në Radiolojën e njohur si “Liqeni i Vajkalit”
Ndërkohë Grupi Apple i drejtuar nga nën Koloneli George Mason më vonë shefi i stacionit te CIA-s në Holandë dhe në Washington nga Koloneli Yasetvich për 16 muaj me radhë furnizoi nga ajri grupin e kontrolluar nga Sigurimi shqiptar i cili eliminoi çdo rrjet rezistence në Veri si dhe mundi të kapte gjallë Hamit Matjanin, një personazh tejet i famshëm për rezistencën e tij antikomuniste.
65-vjet më vonë historia duhet ta kujtojë këtë përpjekje të rëndësishme të kampeve opozitare ideologjike por me pasoja për historinë e Shqipërisë. Grupi Apple duhej kujtuar si nje grup njerëzish idealiste, besnike te traditës se ndjekjes se prijësit por fatkeq te cilët te larguar prej kohesh nga Shqipëria nuk e kuptonin ndryshim e madh qe i kishte ndodhur shoqërisë shqiptare. Te futur ne loje nga Zogu me besimin e verbër tek prijësi ata u angazhuan ne këtë Operacion te rrezikshëm por sipas dokumenteve me tu kapur nga Sigurimi bashkëpunuan me te ndoshta të zhgënjyer nga fati i keq. Tahir Preçi radisti i grupit një antikomunist i vendosur i cili me besnikëri i qëndroi detyrës duke u përpjekur të njoftojë amerikanet për radiolojën dhe si përfundim humbi jetën.
Amerikanët që drejtuan operacionin te cilët me pa mundësinë profesionale qe treguan morën ne qafe te tjerë njerëz te cilët u hodhën me parashutë apo u infiltruan me kërkesën e Sigurimit. George Mason i cili pagëzoi edhe grupin me emrin e koduar Apple” i cili u nda nga jeta vetëm disa vite më parë në shënimet e tija pranon dështimin e madh të operacionit që ai drejtonte. Aq të zemëruar ishin amerikanët me këtë dështim saqë në dokumentët e deklasifikuara shikohet qartë edhe tentativat për të eliminuar fizikisht çdo kënd qe mund të kishte dekonspiruar këtë operacion.
Zenel Shehu i cili bashkëpunoi me Sigurimin u pushkatua pa asnjë mëdyshje së bashku me shokët e tij duke dërguar një mesazh të qartë të egërsisë së regjimit për këdo që i kërcënonte pushtetin. Zogu vdiq ne mërgim i survejuar nga Sigurimi i Shtetit.
Ndërkohë nga Grupi Special dy drejtuesit kryesore te Radiolojes Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu u pushkatuan edhe si agjentë amerikanë. Anëtarët e tjerë te grupi special te Sigurimit dikush vdiq në vetmi i zhgënjyer thellësisht nga regjimi për të cilin kishin kontribuar aq shume. Një nga Oficeret e rinj të këtij grupi Pilo Shanto i cili botoi edhe një libërth shumë interesant për Operacionin e kaloi pensionin ne qetësi të plotë në rrethinat e Washingtonit jo shumë larg selisë se CIA-s, betejat me te cilës ai i kishte kushtuar pjesën më të madhe të jetës.
Deri me sot nuk ka asnjë dëshmi mbi fatin e Gjeneralit sovjetik Dmitri Kurbatov. Ndoshta arkivat ruse mund të sjellin më shumë dritë mbi rolin sovjetik në këtë ngjarje.
Operacioni Apple Team apo Liqeni i Vajkalit është një dëshmi historike shume interesante e betejës politike të pasluftes që duhet njohur dhe studiuar me shume për të kuptuar më qartë dinamiken e asaj kohe. Jo në llogore ideologjike por si një dëshmi e rëndësishme historike e pjesëmarrjes se Shqipërisë ne majat me te larta te operacioneve klandestine dhe rëndësisë që Shqipëria kishte në atë kohë për politiken globale.
Më poshtë disa nga pseudonimet e Grupit Apple
1) Airtight,
2) BNPutlog,
3) BE:Domino,
4) Airëise,
5) ORECertain,
6) Airometer.
Ministri i Brendshëm i asaj kohe Gjeneral Mehmet Shehu, i cili sipas amerikaneve e kishte drejtuar personalisht të gjithë Operacionin Liqeni i Vajkalit.
Majtas Peter Mangelli shqiptaro amerikani Komandant i Kompanisë 4000 një kompani e krijuar nga CIA për Operacione Klandestine në Shqipëri.