12 Nëntor, 2018 - 11:00 am
Edhe kohë më parë, nga AdZM e Qarkut Lezhë, janë publikuar të dhëna mbi numrin e vizitorëve që futen në Ishull-Lezhë dhe në lagunat Kune-Vain.
Janë dy laguna që i përkasin njëra Ishull-Lezhë (Vain) dhe Kune i përket njësisë administrative të Shëngjinit.
Janë vazhdim i njëra tjetrës dhe tepër të vizitueshme për turizmin e vëzhgimit.
Zotërohen nga një faunë ujore tepër e zhvillua gjë që e ka bërë të jetë në qendër të vëmendjes së turistëve por edhe të studiuesve të biodiversitetit.
Sipas informacionit të siguruar nga administrata e Zonave të Mbrojtura Lezhë, numri i vizitorëve që janë future si turist në këtë Zonë të Mbrojtur arrin rreth 70 mijë, për periudhën janar-shtator të këtij viti. Ndërsa ata që kanë vizituar lagunën Kune- Vain, kapin numrin e rreth 30 mijë vizitorëve që kanë qenë turistë të vëzhgimit të shpendëve ujorë të këtyre lagunave.
Drejtori i AdZM Lezhë, Pjetër Toni, shpjegon për ATSH vlerat e këtij ekosistemi lagunor.
”Kemi vizitorë të përditshëm në çdo stinë të vitit por kryesisht në periudhën e pranverës dhe vjeshtës ku fluturakët ujorë janë më aktiv”, thotë Toni.
Ky ekosistem natyror-lagunor është një nga më të rëndësishmit e bregdetit shqiptar në Adriatik. Kjo zonë karakterizohet nga habitate të ndryshme, që përbëhet nga një sistem lagunash si Kune, Merxhani, Zajet, Vaini, Vijat e zallit etj., të lidhura me njëra-tjetrën nga Lumi Drin dhe me Lumin Mat. Shumëllojshmëria e habitateve natyrore kanë krijuar kushtet e duhura për specie përfaqësuese të biodiversitetit.
Në këtë lagunë gjenden 277 lloje bimësh të ndara në 67 familje dhe 202 gjini, fauna është mjaft e pasur me më shumë se 340 lloje nga të cilat: Gjitarë 23 lloje, Shpend 196 lloje, Peshqit 58 lloje, Reptilet 10 lloje etj.
Vendet për t’u vizituar janë këneta e Merxhanit, Ishulli i Kunes, Këneta e Kashtës, Grykëderdhja e Lumit Drin, Këneta Zajes, Cekës, Vijat e Zallit, plazhi i Shëngjinit, Vainit dhe Tales.
Brenda zonës së mbrojtur ndodhen dy monumente natyre: Këneta e Kashtës, e cila ndodhet në Ishullin e Kunes dhe Rivat e Drinit të cilët ndodhen përgjatë grykëderdhjes se Lumit Drin
Krahina ku përfshihet territori është shumë e pasur përsa i përket trashëgimisë kulturore, traditave, folklorit, veshjeve popullore etj. Ndodhet rreth 60 km nga Tirana dhe me një histori të vjetër si një sistem lagunor dhe destinacion turistik. Është e para Zonë e Mbrojtur e Shqipërisë, e shpallur si Rezervë Gjuetie që nga korriku i vitit 1940.
Edhe sot ruan këtë status të emërtuar si “Rezervat Gjuetie dhe Rezervë e Menaxhuar”.
Kjo zonë përfshin një sistem ligatinash, ku përfshihen laguna e këneta, ujëra detare dhe, toka nën nivelin e detit dhe pyje tipike bregdetare, shkurre mesdhetare, rrjedhje ujore dhe toka bujqësore e kullota.
Njihet si një nga destinacionet turistike më të vizitueshme në veriun e Shqipërisë për natyrën e bukur, për turizmin e vëzhgimit të shpendëve ujorë, për gastronominë e veçantë, por edhe për kuriozitetin kulturor të saj.
Në Ishull-Lezhë, ka dhe një ndërtesë të vitit 1939 e shpallur “Monument Kulture”, që lidhet me emrin e Kontit Çiano, ish-ministrit të Jashtëm të Italisë.
Hoteli i Gjuetarëve në Ishull-Lezhë ka historinë e vet dhe vlera arkitekturore, që i ruan ende sot e kësaj dite, ndonëse pjesa më e madhe e kësaj rezidence është e dëmtuar.
Megjithëse kjo ndërtesë është në funksion edhe si hotel, ambientet e brendshme janë të dëmtuara dhe administratorët ankohen për mundësinë e restaurimit meqë është “Monument Kulture”.
Çiano, dikur ftonte në këtë vilë shumë personalitete italiane dhe miq nga vende të ndryshme, si dhe projektuesit kryesorë të operacioneve ushtarake, strategjike e diplomatike të Duçes.
Më vonë në kohën e komunizmit, ajo vizitohej nga nomenklatura e kuqe, ku personazhe të saj gjuanin shpendë dhe kafshë të egra të lagunës.
Ndërsa sot, hapësira është zgjeruar dhe vizitorët e kuriozët kanë mundësi ta vizitojnë atë deri në bregdet. Është një hapësirë e gjerë me bukuri të rrallë, ku laguna ujore gërshetohet me mjedisin përreth me shkurre e drurë të lartë.
Në hyrje të Zonës së Mbrojtur të Lagunës, është një portë-postbllok ku një roje i AdZM-së së Lezhës, pret një biletë me një vlerë simbolike dhe më tepër interesohet për mjetet dhe vizitorët që të mos kenë mjete gjuetije me vete si, armë gjahu, mjete peshkimi, etj.
Gjuetija aty është e ndaluar dhe ai i porosit të mos shkelin ligjin e të dëmtojnë mjedisin.
Tani është sezoni që gëlojnë shpendët migratorë dhe turistët e vëzhgimit të tyre janë të shumtë.
Drejtori i AdZM Lezhë Pjetër Toni, thotë se kjo është një zonë që vizitohet nga vendas e të huaj që vëzhgojnë shpendët ujorë apo natyrën mbresëlënëse të këtij mjedisi, duke informuar se tani është sezoni kur numri i turistëve rritet dhe shkon mbi 500 në javë.
Edhe në këtë lagunë, ashtu si në atë të Karavastasë, janë flamingot ato që tërheqin më shumë vëmendjen e vizitorit me shfaqet e tyre të “kërcimit” në ujë.
Kjo lagunë është e pasur dhe me specie të tjera të rralla si Rosa e Egër, Bajza, Çafka, Karabullaku etj., që bëhen “pre” e aparateve fotografikë të turistëve të shumtë në periudhën e vjeshtës dhe të dimrit.
Sipas Pjetër Tonit, i kontaktuar nga ATSH, janë marrë të gjitha masat për një sezon turistik të suksesshëm, ku turizmi i vëzhgimit në këtë lagunë bëhet prioritet.
Por në Qarkun e Lezhës, nuk është vetëm Ishulli, por dhe Fishta, Oroshi, Skuraj dhe Kukëli që janë projektuar në listën e “100 fshatrave” me prioritet zhvillimi.
Të gjitha janë të vizitueshme dhe kanë vizitorë të përhershëm. Lezha këtë vit bëhet kryeqendra e vendit, në vitin simbol të Skënderbeut dhe vizitorët do të shtohen në numrin e tyre./KultPlus.com