23 Mars, 2021 - 4:04 pm
Me rastin e përvjetorit të themelimit të Agjencisë shtetërore e arkivave e Kosovës, pas Akademisë solemne të mbajtur në Teatrin Faruk Begolli, sot, kushtuar 70-të vjetorit si aktivitet, u hap ekspozita e titulluar ’70 vjet arkiv’, e cila përfshin tërë dokumentacionin dhe legjislacionin e saj, shkruan KultPlus.
Me evoluimin e kohës, qysh nga dorëshkrimet më të vjetra që kanë ekzistuar rreth 600 vjet, dokumentacioni i parë ishte fjalori arabisht-persisht, kurse më i vjetri është i vitit 1608 i Mehmet Pashë Kaçanikut, duke vazhduar me përmbajtjen e cila kryesisht përmban dokumente pas Luftës së Dytë Botërore, por edhe periudhën e mëhershme, e cila përfshin dokumentet në gjuhën osmane.
Të pranishëm në këtë ekspozitë ishin kryeshefi i Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj dhe Ardit Bido, drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, i cili uroi këtë moment të rëndësishëm për dokumentimin e historisë kombëtare shqiptare e cila është e ndarë në disa arkiva.
“Themelimi i Arkivit të Kosovës është shumë i rëndësishëm, duke përfshirë edhe Arkivin e Maqedonisë, këto dy institucione kanë dokumente mbi shqiptarët, sikurse që kanë edhe dokumentacionin kombëtar. Në këtë ditë të shënuar për kombin tonë, shpresoj që arkivi të ketë një jetë të gjatë dhe begatë për ruajtjen e historisë sonë të përbashkët”, përfundon Bido.
Kurse në emër të drejtorit së Arkivit shtetëror të Maqedonisë, u soll përshëndetja për përvjetorin e sotshëm, dhe urimi që në të ardhmen, njëlloj si do të forcohet shteti i Kosovës, të forcohet edhe arkivi i saj. Po ashtu përfaqësuesi i Drejtorit të Arkivit të Maqedonisë, i ftoi të pranishmit që të vinë edhe në përvjetorin e Arkivit të tyre, e cila shënohet me 1 Prill.
Pas urimeve të secilës palë, të pranishmit u ftuan që si pjesë e dytë e aktiviteteve, të shikojnë nga afër edhe promovimin e librit të titulluar “Ndarja administrative e vilajeteve shqiptare” me autor dhe aktivsitin turk, Tahir Sezen i njohur për botimin voluminoz ku përmblodhi të gjitha emrat e vendbanimeve më të rëndësishme të Perandorisë Osmane, kurse përkthimin e bëri të mundur Hatixhe Mehmeti.
Libri i botuar në gjuhën shqipe e cila është pjesë e botimit më të vëllimshëm të autorit Tahir Sezen, përmban njohjen e vendeve dhe problematikat që sjellin ato, e sidomos në hapësirat shqiptare dhe ballkanike ku shumë vende janë ndërruar dhe tjetërsuar me prezencën e sunduesve në këto treva. Ky botim po ashtu tregon bashkëpunimin në mes të Arkivit të Kosovës dhe asaj së Turqisë.
Shtrirja gjeografike e trojeve shqiptare është edhe e madhe, prandaj në të ardhmen premtohet se autorja do ta sjell veprën e plotë të përkthyer nga autori turk duke dëshmuar autoktoninë e hapësirave turke dhe shqiptare.
Mes të tjerash kryeshefi i Arkivave të Kosovës veçoi detyrën kryesore të Agjencisë shtetërore e Arkivave e Kosovës, “Një prej detyrave kryesore, përveç grumbullimit dhe përpunimit të lëndës arkivore është edhe veprimtaria botuese që lidhet kryesisht me fushë veprimtarinë e Agjencisë. Me veprimtarinë botuese dhe publikimin e kontributeve dhe rezultateve të Arkivit, ky institucion synon përhapjen e njohurive për të kaluarën historike dhe për ti shërbyer të ardhmes së Kosovës edhe më gjerë”, tha Zymberaj.
Ai tutje ftoi që recensionin për librin ta shpalos doktori, Sadik Mehmeti i cili për librin vlerësoi emërtimin e vendeve me emrat gjeografik ku janë dëshmi e historisë dhe kulturës shqiptare të kaluar, ku nëpërmjet ndarjes administrative dhe statusit të saj përfshin periudha nga më të ndryshmet, me një numër më të madh vendesh sesa që sot janë të njohura për shqiptaret.
Ekspozita e shpallur sot si ’70 vjet arkiv’, do të jetë e hapur përgjatë javës për të interesuarit por gjithmonë duke zbatuar masat parandaluese të COVID-19./ KultPlus.com