18 Mars, 2018 - 1:30 pm
Më 18 mars 1268, afër Fierit të sotëm u ndërtua Manastiri i Apollonisë, që së bashku me kishën e tij, përbën një ansambël madhështor të arkitekturës mesjetare shqiptare, shkruan KultPlus.
Në maje të së përpjetës së vogël që ndodhet mbi fshatin Pojan, ngrihet manastiri i Shën Mërisë së Apollonisë. I ndërtuar qindra vjet më parë në një maje kodre, ai mban nën vete si në “një djep të përmbysur”, qytetin antik të Apollonisë, nga i cili ato pak rrënoja të mbetura duken sikur tretin vështrim tej në detin Adriatik.
Micky Haxhiislami ka postuar këtë fotografi ndërkohë ka treguar se Manastiri i Apollonisë është vazhdimi i zhvillimit të kulturës së lashtë të Apollonisë.
“Një dëshmi e frymës krijuese të popullit shqiptar dhe të të parëve të tij të lashtë, që ndër shekuj e mijëvjeçarë, kanë banuar në këto troje, duke lënë gjurmë të pashlyeshme dhe duke pasuruar thesarin e kulturës së tyre dhe asaj botërore”, ka shkruar Haxhiislami.
Gjatë mesjetës feudale çdo manastir ishte njëkohësisht vatër kulturë dhe arsimi. Në ambientet e tij kishte biblioteka dhe shkolla te ulëta. Në to murgjit merreshin me studimin, kopjimin dhe sistemimin e dorëshkrimeve te vjetra. Murgjit shërbenin si mësues në shkolla fillore të cilat përgatitnin klerikë të thjeshtë për nevojat e klerit./ KultPlus.com