30 Dhjetor, 2018 - 3:43 pm
Edhe këtë vit shtëpia e Gjergj Fishtës në Fishtë të Lezhës ka mbetur e parestauruar, ani pse shpesh është raportuar që ajo është buzë shkatërrimit, shkruan KultPlus.
Shtëpia ku jetoi për disa vjet At Gjergj Fishta është shpallur që në vitin 2008 monument kulture. Deri tani kanë ekzistuar tri projekte për ta restauruar atët por asnjëri prej tyre nuk është zbatuar.
Në qershor të këtij viti, ministrja e kulturës Mirela Kumbaro kishte deklaruar se shtëpia e Gjergj Fishtës në Fishtë nuk do të restaurohet për shkak se është objekt privat por memoria për klerikun do të bëhet tek kolegji i Troshanit.
“Objekti që shpeshherë cilësohet gabimisht si shtëpia e Gjergj Fishtës është vetëm një banesë me disa pronarë privatë me një histori pronësie goxha të komplikuar, ku At Fishta ka kaluar pak muaj fëmijërinë e tij”, ishte shprehur Kumbaro.
Specialisti i trashëgimisë kulturore dhe studiuesin Paulin Zefi, sot në 78 vjetorin e lindjes së Gjergj Fishtës ka reaguar duke shpërndarë disa fotografi që tregojnë se kjo shtëpi ndër vite ka mbetur nën mëshirën e fatit.
“Ky është imazhi i vërtetë i “Shtetit Shqiptar”, në formë dhe në përmbajtje. Mjafton të shohim Shtëpinë M.K. ku ka jetuar i papërsëritshmi At Gjergj Fishta sot në 78 vjetorin e kalimit të tij në amshim”, ka shkruar Zefi në Facebook.
Ai thotë se përgjegjës për këtë gjendje është çdo ministër kulture dhe çdo qeveri që ka udhëhequr këto tri dekadat e fundit.
“Për sa kohë që “rrugaçat dhe sallahanat”, që përmend i madhi FISHTA, do të kenë në dorë fatet e këtij populli të mjerë e të pafat, kjo “Nyje gordiane” nuk do të zgjidhet kurrë. Përgjegjës për këtë turp të madh kombëtar është çdo ministër kulture dhe çdo qeveri, e cila na ka udhëhequr këto tri dekada”, shkruhet tutje në postimin e tij.
Gjergj Fishta, shkrimtari i madh shqiptar i “Lahutës së Malcisë”, ka vdekur më 30 dhjetor të vitit 1940 në spitalin civil të Shkodrës./ KultPlus.com